Bruno Fernandes shkëlqen me hat-trick, Manchester United kalon në çerekfinale të Europa League!

Manchester United siguroi kualifikimin në çerekfinale të Europa League me një fitore bindëse 4-1 ndaj Real Sociedad në Old Trafford. Pas barazimit 1-1 në ndeshjen e parë në San Sebastian, “Djajtë e Kuq” triumfuan me stil në ndeshjen e kthimit, duke e mbyllur sfidën me rezultatin e përgjithshëm 5-2.
Tre penallti, një karton i kuq dhe një hat-trick nga Bruno Fernandes!
Sfida nisi vrullshëm, me Real Sociedad që kaloi në epërsi të hershme. Matthijs de Ligt shkaktoi penallti ndaj Oyarzabal, dhe pas rishikimit të VAR, gjyqtari akordoi 11-metërsh për skuadrën spanjolle. Oyarzabal nuk gaboi nga pika e bardhë, duke e mposhtur Onanën dhe duke e kaluar Sociedadin në epërsi 0-1.
Megjithatë, Manchester United reagoi menjëherë. Vetëm tre minuta më vonë, Zubeldia ndërhyri ashpër ndaj një lojtari të United dhe vendasve iu akordua një penallti. Bruno Fernandes mori përsipër ekzekutimin dhe barazoi rezultatin në 1-1.
Dominim në pjesën e dytë dhe hat-trick i Fernandes
Në pjesën e dytë, United mori kontrollin e lojës. Në minutën e 50-të, vendasve iu dha një tjetër penallti, të cilën Bruno Fernandes e realizoi sërish me qetësi, duke kaluar skuadrën e tij në avantazh 2-1.
Situata u rëndua për Real Sociedad në minutën e 63-të, kur Aramburu shkaktoi një faull të rëndë ndaj Dorgu. Gjyqtari Bastien nuk hezitoi dhe e ndëshkoi direkt me karton të kuq, duke e lënë Sociedadin me një lojtar më pak.
Manchester United shfrytëzoi epërsinë numerike dhe vazhdoi të sulmojë. Bruno Fernandes kompletoi hat-trickun e tij të parë këtë sezon në minutën e 87-të, duke vulosur fitoren 3-1. Në kohën shtesë, Diogo Dalot shënoi edhe golin e katërt për United, duke e mbyllur ndeshjen me rezultatin 4-1.
Skuadrat e tjera që u kualifikuan në çerekfinale
- Tottenham Hotspur avancoi në çerekfinale pasi, edhe pse humbi 1-0 në Holandë, triumfoi në ndeshjen e kthimit ndaj AZ Alkmaar para tifozëve të vet 2:0. Golat për londinezët i shënuan Odobert (2) dhe Maddison.
- Lyon dominoi FCSB-në, duke siguruar kalimin mes tetë më të mirëve me rezultat të përgjithshëm 7-1. Pas fitores 1-3 në Rumani, skuadra franceze triumfoi me katër gola në ndeshjen e kthimit.