Brazilianët e duan Dalic si trajner

Zlatko Dalić ka shënuar rezultate të shkëlqyera me Kroacinë në dy kampionatet e fundit botërore.
Në vitin 2018, kroatët ishin të dytët në Rusi, katër vjet më vonë në Katar, ata fituan vendin e tretë. Është logjike që në botën e futbollit ka një interesim të madh për trajnerin kroat.
“Veçernji List”, duke iu referuar mediave braziliane, ka bërë të ditur se interesim për shërbimet e Dalić ka shfaqur Federata e Futbollit të Brazilit. Dalić me Kroacinë eliminoi Brazilin në çerekfinale të Kupës së Botës në Katar. Pas kësaj ndeshje, trajneri Tite u largua nga posti.
Sipas mediave braziliane, Dalić do të marrë një ofertë nga Brazili, ndaj mund të bëhet vetëm trajneri i tretë i huaj që drejton këtë kombëtare.
Gjatë historisë, Brazili është udhëhequr nga uruguaiani Ramon Platero dhe portugezi Jorge Gomes da Lima dhe nëse Dalic do të jetë i treti, mbetet për t’u parë.