April 18, 2025

Barcelona me një këmbë në gjysmëfinale

Barcelona ka bërë një hap gjigant drejt gjysmëfinales së Ligës së Kampionëve, duke e mposhtur bindshëm Borussia Dortmundin me rezultat 4:0 në ndeshjen e parë çerekfinale, të zhvilluar të mërkurën mbrëma në “Montjuïc”.

Të tre sulmuesit e skuadrës katalunase – Robert Lewandowski, Raphinha dhe Lamine Yamal – ishin në listën e golashënuesve, duke e udhëhequr ekipin drejt një performance dominuese ndaj gjermanëve.

Braziliani Raphinha hapi serinë e golave në minutën e 25-të, pasi konkretizoi me saktësi një asistim të mbrojtësit të ri, Pau Cubarsit.

Në pjesën e dytë, Barcelona vazhdoi furishëm. Vetëm tre minuta pas rifillimit të lojës, në minutën e 48-të, Robert Lewandowski dyfishoi epërsinë pas një asistimi nga Raphinha. Sulmuesi polak nuk u ndal me kaq – ai e shtoi edhe një tjetër gol në minutën e 66-të, këtë herë me ndihmën e Fermin Lopezit, ndërsa në aksion mori pjesë edhe Yamal.

Fjalën e fundit e tha pikërisht 16-vjeçari Lamine Yamal, i cili e vulosi fitoren me golin e katërt në minutën e 77-të. Asistues? Sërish Raphinha, që po shkëlqen në këtë edicion të Championsit.

Me këtë paraqitje, Raphinha ka arritur në kuotën e 12 golave dhe 7 asistimeve në vetëm 11 paraqitje në edicionin aktual, duke u ngjitur në krye të listës së golashënuesve. Ndërkohë, Lewandowski tani ka 11 gola në 11 ndeshje dhe është bërë lojtari i parë që ka realizuar mbi 10 gola në një sezon të Ligës së Kampionëve me tre skuadra të ndryshme – Borussia Dortmundin, Bayern Munichun dhe tashmë Barcelonën.

Ndeshja e kthimit në “Signal Iduna Park” zhvillohet të martën e ardhshme dhe pritet të jetë formalitet për katalunasit, që tashmë ndihen pranë rikthimit në mesin e katër skuadrave më të mira të Evropës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *