Barcelona i heq Dani Alvesit statusin e legjendës

Dani Alves nuk është më një legjendë e Barcelonës. Klubi ka reaguar kështu pasi braziliani u dënua me katër vjet e gjysmë burg për përdhunim.
Ish-mbrojtësi i djathtë i katalanasve me 43 tituj është lojtari me më shumë trofe në historinë e futbollit. Ai ka veshur dy herë fanellën e Barçës, nga viti 2008 në 2016 dhe nga 2021 në 2022. Ai luajti 431 ndeshje, shënoi 15 gola dhe fitoi të gjithë trofetë e mundshëm në futbollin e klubeve.
Ai hyri në listën e 102 lojtarëve që në historinë 125-vjeçare fituan statusin e legjendës së Barcelonës. Megjithatë, emri i tij tani është hequr nga ajo listë. Më 30 dhjetor 2022, Alves përdhunoi një vajzë 23-vjeçare në një klub nate dhe pak ditë më parë u dënua me burg.