Barazim si fitore për Liverpoolin, siguron finalen me Chelsean në Kupën e Ligës
Futbollistët e Liverpoolit kanë barazuar 1:1 në vizitën e tyre në “Craven Cottage” kundër Fulhamit, në kuadër të gjysmëfinales në Carabao Cup (Kupën e Ligës). Ky barazim për “të kuqtë” ishte i barasvlefshëm me fitore, pasi në ndeshjen e parë festuan 1-2 dhe kësisoj u kualifikuan në ndeshjen finale për trofeun e kësaj gare, ku i pret Chelsea.
Takimi në Londër nisi me një rast për vendasit, por Palinja gjuajti mbi portë. Menjëherë pas kësaj, Liverpool arriti të kalojë në epërsi me golin e Luis Diaz, në minutën e 11-të. Deri në pushim, Darwin Nunez goditi shtyllën dhe Diaz shënoi një tjetër gol, i cili u anulua për pozicion jashtë loje.
Pas pushimit, Andreas Pereira goditi kornizën e portës së Liverpoolit, ndërsa në anën e kundërt kërcënuan Elliott dhe Nunez. Fulham arriti të rikthehet në rezultat në minutën e 77-të. Issa Diop mori një pasim nga Wilson, më pas kontrolloi topin dhe me gjuajtje të saktë shënoi për 1-1. Në fund të ndeshjes vendasit u përpoqën të përmbysnin rezultatin dhe të siguronin vazhdimet, por dështuan në synimin e tyre.
