Ballkani shkatërron Ferizajn, Drita triumfon në Klinë

Java e 7-të e Albi Mall Superligës së Kosovës solli dy ndeshje interesante, ku Ballkani dhe Drita shënuan fitore të rëndësishme, duke forcuar pozitat e tyre në garën për kreun e tabelës. Në Suharekë, kampioni në fuqi, Ballkani, tregoi fuqinë e tij duke mposhtur Ferizajn me rezultat të thellë 4:0. Sulmuesi nigerian, Sunday Adetunji, ishte në formë të shkëlqyer, duke shënuar dy herë (9′ dhe 67′). E të njëjtën gjë e bëri edhe braziliani Giovanni Manson Ribeiro që kontribuoi gjithashtu me dy gola (36′ dhe 54′), duke e bërë fitoren e portokallezinjve të padiskutueshme. Ferizaj pati një mundësi për t’u rikthyer në lojë, kur Gligorov gjuajti penallti në minutën e 43-të, por dështoi ta konkretizojë atë. Me këtë fitore, Ballkani ngjitet në vendin e parë të tabelës me 13 pikë, duke u barazuar me Llapi, Malishevën dhe Suharekën, ndërsa Ferizaj vazhdon të mbetet në pjesën e poshtme të klasifikimit.Në ndeshjen tjetër, Drita vazhdoi formën e mirë, duke shënuar një fitore të rëndësishme 2:0 ndaj Dukagjinit në Klinë. Ajo që e bëri këtë fitore të veçantë ishte ndikimi i rezervistëve, të cilët ndryshuan rrjedhën e ndeshjes. Pas një pjese të parë pa gola, trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani vendosi të fusë në lojë Kastriot Selmanin dhe Blerim Krasniqin, të cilët shkëlqyen nga stoli. Selmani hapi serinë e golave në minutën e 77-të, ndërsa Krasniqi e vulosi fitoren në minutën e 87-të. Me këtë rezultat, Drita ngjitet në kuotën e 12 pikëve, teksa ka dy ndeshje më pak të zhvilluara.