Ballkani fiton me përmbysje, Drita kthehet te fitorja me trajnerin e ri, Prishtina merr një pikë në Klinë

Në ndeshjet e sotme të Superligës së Kosovës në futboll, Ballkani dhe Drita shënuan fitore. Ballkani fitoi me rezultatin 2:1 kundër Fushë Kosovës, ndonëse e pa veten në disavantazh, ndërsa Drita triumfoi me rezultatin 3:1 kundër Feronikelit 74.
Osman Mëziu befasoi kampionin në fuqi me supergol në minutën e katërt. Por në fundin e pjesës së parë, Walid Hamidi realizoi nga afërsia për rezultatin 1:1. Ballkani dominoi në pjesën e dytë, ndërsa golin e fitores e shënoi në minutën e 87-të. Realizator i golit për 2:1 dhe i pikëve të plota ishte mesfushori Qëndrim Zyba.
Zekirija Ramadani ka debutuar me fitore si trajner i Dritës, duke e mposhtur Feronikelin 74, në ndeshjen që u zvhillua në fushën me bari sintetik në Gjilan. Golat për Dritën i shënuan, Blerim Krasniqi (32’), Blend Baftiu (34’) dhe Albin Prapashtica (90’+), kurse për Feronikelin 74 golin e vetëm e realizoi Bachare Razack.
Ndërkohë, ndeshja mes Dukagjinit dhe Prishtinës përfundoi pa gola 0:0, ndonëse të dyja ekipet patën disa mundësi shënimi. Prishtina zë vendin e katërt me 22 pikë, një më shumë se Dukagjini me 21 pikë.