Ballkani fiton derbin ndaj Llapit

Trajneri Orges Shehi ka realizuar fitoren e parë nën drejtimin e Ballkanit. Pasi një javë më parë debutoi në elitën e futbollit kosovar në barazimin 1:1 me Ferizajn në udhëtim, të shtunën në kuadër të xhiros së 17-të të Superligës së Kosovës, Ballkani i Shehit fitoi në derbin ndaj Llapit në krizë të rezultateve, me shifrat 2:1.
Për Ballkanin ishte fitorja e parë pas katër ndeshjeve, ku kishte dy humbje e dy barazime. Te humbjet përfshihet eliminimi nga Kupa e Kosovës.
Ndërkohë, Llapi vazhdon pa fitore në Superligë edhe pas dhjetë xhirove rresht.
Ka gjashtë humbje e katër barazime në këtë ecuri.
Bajram Jashanica shënoi nga penalltia për Ballkanin në minutën e 33-të.
Braziliani Queven shënoi për 2:0 pas një ore lojë.
Për Llapi realizoi sulmuesi Ardit Tahiri në minutën e 74-t.
Ishte goli i fundit në ndeshje.
Ballkani me këtë fitore tani ka 30 pikë në vendin e dytë, shtatë më pak se Drita lidere, që e ka një ndeshje më pak të luajtur.
Llapi mbetet me 17 pikë në vendin e tetë, përkatësisht të barazhit, aq sa ka edhe Ferizaj në pozitën e nëntë, të parafundit.