Baena e denoncon Valverden në Polici, Villarreal: Ne besojmë te lojtari ynë, do ta ndihmojmë

Anësori i Villarrealit, Alex Baena do të padisë mesfushorin e Real Madridit, Federico Valverde, i cili e goditi me grusht në parking pas ndeshjes mes këtyre skuadrave në kuadër të xhiros së 28-të të kampionatit spanjoll. Villarreal lëshoi një deklaratë në lidhje me incidentin.
“Lojtari i Villarrealit, Alex Baena u sulmua gjatë rrugës për në autobusin e klubit pas ndeshjes kundër Real Madridit në stadiumin Santiago Bernabeu. Nisur nga situata, lojtari ynë ka vendosur ta denoncojë sulmuesin në polici. Villarreali denon çdo akt dhune dhe beson në historinë e lojtarit tonë dhe do ta mbështesim atë në proces”.
Valverde dhe Baena u përplasën gjatë një ndeshjeje në La Liga në të cilën Villarreal mundi Realin 3:2. Më pas, ylli i Realit iu afrua të riut spanjoll në parking, pranë autobusit dhe e goditi me grusht në fytyrë. Marca publikoi një deklaratë të përfaqësuesve të Valverdes, të cilët thanë se dy futbollistët u përplasën fillimisht në janar në një ndeshje mes tyre. Ata fajësuan Baenën për provokim.