Arteta: Kemi një mundësi të madhe për të bërë ëndrrën realitet
Arsenal po vazhdon të tregojë forcën e tij në Premier League. Pas javës së 10-të “Topçinjtë” janë shkëputur me 6 pikë nga vendi i dytë (Manchester City) dhe duket se pas tri sezoneve në ndjekje të titullit, ky mund të jetë viti i madh i tyre.
Në prag të ndeshjes së radhës, trajneri Mikel Arteta është shprehur optimist, por njëkohësisht edhe i kujdesshëm për ecurinë e ekipit.
“Mund të them se kemi një mundësi të madhe përpara nesh. Duhet të vazhdojmë me këtë nivel qëndrueshmërie, por e dimë sa e vështirë është. Në mesjavë kemi një tjetër ndeshje të fortë dhe duhet të arrijmë përsëri ato nivele performance”, tha Arteta, skuadra e të cilit të martën luan në Ligën e Kampionëve kundër Spartës në Pragë.
Trajneri spanjoll theksoi se në Premier League asgjë nuk është e sigurt deri në fund, ndaj skuadra duhet të qëndrojë me këmbë në tokë.
“Gjithnjë ndodhin urgjenca dhe ndërlikime. Luajmë çdo tre ditë dhe kemi shumë pak kohë për t’u stërvitur dhe përgatitur”, shtoi ai.
Në fund, Arteta tregoi se çfarë pret nga lojtarët e tij në fushë:
“Nëse duam të fitojmë çdo garë ku marrim pjesë, duhet të jemi të pamëshirshëm dhe cinikë para porte”.
Me këtë frymë dhe vendosmëri, Arsenali duket më i pjekur se kurrë për të shkuar drejt titullit që i ka munguar prej më shumë se dy dekadash.
