Arlind Veliu “Ylli i Javës”: Synojmë Evropën

Federata e Futbollit të Kosovës, në bashkëpunim me sponsorin e Superligës, Albi Mall, ka shpallur Arlind Veliun e FC Malisheva “Yllin e Javës” për javën e 22-të të Albi Mall Superligës. Ky vlerësim, i dyti për Veliun këtë edicion, vjen pas paraqitjes së tij të shkëlqyer në fitoren 3:1 ndaj FC Ballkani, ku ai shënoi një gol të bukur dhe u dallua në mbrojtje.

Pas marrjes së këtij çmimi, Veliu shprehu lumturinë dhe ambiciet e tij në një deklaratë për faqen zyrtare të FFK-së:

“Jam shumë i lumtur për këtë vlerësim dhe do të vazhdoj të jap maksimumin për ekipin tim. Ishte një gol vendimtar, i cili na ndihmoi të sigurojmë tre pikë të rëndësishme.”

Veliu theksoi se ekipi do të vazhdojë të luftojë për titullin kampion dhe një vend në garat evropiane:

“Do të vazhdojmë të japim maksimumin në çdo ndeshje, duke u përpjekur të paraqitemi sa më mirë dhe të arrijmë objektivin tonë. Shpresoj që do të luftojmë deri në fund për titullin kampion pse jo dhe të sigurojmë edhe daljen në Evropë. Është kënaqësi e madhe për mua të luaj me Malishevën dhe ëndrra ime është që ta përfaqësojmë klubin në garat evropiane.”

Ai e konsideroi çmimin si një motiv shtesë për të arritur synimet e tij:

“Ky çmim është një motiv shtesë për mua, për të vazhduar të punoj dhe të ndjek synimet e mia për të luajtur në Evropë. Shpresoj që ky sezon të jetë një nga më të mirët dhe të arrijmë suksesin që e dëshirojmë të gjithë.”

Veliu vlerësoi kontributin e bashkëlojtarëve dhe stafit, duke shpresuar që edhe lojtarë të tjerë të Malishevës të marrin vlerësime:

“Natyrisht, çdo çmim që marr është rezultat i punës së përbashkët me bashkëlojtarët dhe stafin. Shpresoj që ky të mos jetë çmimi i fundit për një lojtar të Malishevës, sepse të gjithë e meritojnë një vlerësim për përkushtimin e tyre.”

Ky vlerësim nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit, i përbërë nga Luan Tabaku, Bujar Asllani dhe Muhamet Sylejmani, konfirmon formën e shkëlqyer të Veliut dhe kontributin e tij të madh në suksesin e FC Malisheva.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *