Arkivoli me trupin e pajetë të Peles u soll në stadiumin e Santos

Arkivoli me trupin e pajetë të futbollistit legjendar brazilian Pele u soll të hënën në mëngjes me orën lokale në stadiumin Santos, ku do të ekspozohet publikisht për homazhe.

Edhe pse arkivoli u dorëzua në orët e para të mëngjesit jashtë stadiumit Urbano Caldeira në qytetin bregdetar të Santos, tifozët pritën me orë të tëra për t’i dhënë lamtumirën futbollistit më të madh të të gjitha kohërave.

Arkivoli i Peles u soll nga spitali Albert Einstein në Sao Paulo, rreth 80 kilometra larg stadiumit të Santos. Pele vdiq të enjten, në moshën 82-vjeçare, pas një beteje të gjatë me kancerin e zorrës së trashë.

Sipas informacioneve të publikuara nga Santos, klubi ku Pele kaloi 18 vite të karrierës së tij, arkivoli do të vendoset në rrethin qendror të fushës së stadiumit Urbano Caldeira, i njohur më mirë si Villa Belmiro.

Tifozët do të mund të kalojnë pranë arkivolit në një distancë prej rreth pesë metrash. Sipas njoftimeve, presidenti i sapozgjedhur brazilian Luiz Inacio Lula da Silva do të vijë për të nderuar të madhin e futbollit, arkivoli i të cilit do të qëndrojë i ekspozuar për 24 orë.

Varrimi i Peles do të bëhet të martën dhe kortezhi i varrimit do të kalojë nëpër lagjen ku jeton ende nëna qindra vjeçare e Peles.

Sipas dëshirës së tij, ai do të varroset në katin e nëntë të Varrezave Memoriale Ekumenike, në mënyrë që të “shohë” qytetin e tij.

Në varrim do të marrin pjesë vetëm familjarët.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *