Ankesa e FFK-së për veprimin e Serbisë bën jehonë në mediat botërore

Ankesa e FFK-së ndaj veprimit agresiv të Serbisë ndaj Kosovës në Botërorin “Katar 2022” ka bërë jehonë të madhe në të gjitha mediat botërore. Në fakt, pas ankesës së FFK-së, Federata e Futbollit e Serbisë është akuzuar nga FIFA për vendosjen e një pankarte politike ndaj shtetit të saj fqinj në dhomën e zhveshjes përpara ndeshjes me Brazilin. Ajo pankartë tregonte hartën e Kosovës me ngjyrat e flamurit serb dhe slloganin “S’ka dorëzim”.
FIFA citoi një seksion të kodit të saj disiplinor në nisjen e procedurës, i cili mbulon sjelljen e pahijshme duke përfshirë “gjeste fyese, shenja ose gjuhë” dhe “përdorimin e një ngjarje sportive për demonstrime të një natyre jo sportive”.
E për këtë çështje për agjencinë e lajmeve AP (The Associated Press) ka folur edhe u.d. sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Taulant Hodaj. Kjo kronikë është shpërndarë në shumicën e mediave botërore, duke bërë që kjo çështje të marrë jehonë kudo në botë.
FIFA ende nuk ka dalë me ndonjë vendim në lidhje me veprimin e Serbisë gjatë Botërorit, por një gjë e tillë pritet të ndodhë së shpejti, pasi Komisioni Disiplinor i këtij institucioni t’i shqyrtojë të gjitha provat e ofruara.