February 2026
M T W T F S S
 1
2345678
9101112131415
16171819202122
232425262728  
February 13, 2026

Angazhimi i ish-lojtarëve të Kombëtares, hap vizionar i Agim Ademit për të ardhmen

Vendimi i Federatës së Futbollit të Kosovës dhe kreut të saj, Agim Ademi, për të angazhuar ish-lojtarë të shquar të Kombëtares në role të reja brenda strukturave të federatës është një hap strategjik dhe vizionar, që meriton duartrokitje të gjithanshme. Pas emërimit të Samir Ujkanit si zëvendësdrejtor i Kombëtares A, tani edhe Hekuran Kryeziu dhe Anel Rashkaj janë ftuar për të kontribuar në role të reja, duke vënë në pah përkushtimin e FFK-së për të ruajtur dhe zhvilluar trashëgiminë e futbollit tonë.

Përfshirja e ish-lojtarëve të kalibrit të lartë si Ujkani, Kryeziu dhe Rashkaj në menaxhimin e futbollit në Kosovë nuk është vetëm një njohje e kontributit të tyre të kaluar, por edhe një investim i mençur për të ardhmen. Ata përveç që kanë dhënë gjithçka për fanellën e Kombëtares, sjellin me vete jo vetëm eksperiencë profesionale, por edhe një pasion dhe njohuri të thella nga shtetet evropiane. Ata janë modeli i përkushtimit dhe i lidershipit, që mund të frymëzojnë brezat e rinj të lojtarëve dhe të ndihmojnë në ngritjen e nivelit organizativ të futbollit tonë.

Një shembull konkret është Samir Ujkani, i cili si portier ka qenë një nga shtyllat e Kombëtares. Ai tani, në rolin e zëvendësdrejtorit të Kombëtares, ka mundësinë të përfaqësojë dhe të udhëheqë me të njëjtin integritet dhe profesionalizëm që e ka karakterizuar si lojtar. Po ashtu, Hekuran Kryeziu dhe Anel Rashkaj, që kanë qenë zemra e mesfushës së Kombëtares për shumë vite dhe mjaft kreativ, tani mund të sjellin një perspektivë të re dhe energji të freskët në pozicionet e tyre të reja, si ndihmëtrajner në Kombëtaret U19 e U21, përkatësisht edhe në Departamentin Teknik të FFK-së.

Vendimi i kreut të FFK-së është gjithashtu një mesazh i fuqishëm për futbollistët aktivë: se kontributi i tyre për Kombëtaren nuk përfundon me largimin nga fusha e blertë.

FFK po krijon një rrugë që garanton që ata që kanë dhënë gjithçka për futbollin e vendit të kenë mundësinë të vazhdojnë të kontribuojnë në forma të reja, duke sjellë përvojë dhe motivim të vazhdueshëm.

Përtej kësaj, ky model pasqyron një qasje të avancuar të FFK-së, duke u bazuar në praktikat më të mira të federatave të suksesshme në mbarë botën. Duke investuar në lidershipin e brendshëm, federata jonë po siguron një qasje afatgjatë dhe të qëndrueshme për zhvillimin e futbollit në Kosovë. Çdo hap i tillë është një gurë themeli në ndërtimin e një të ardhmeje më të ndritur për futbollin kosovar. Vendime si ky tregojnë që FFK dhe Agim Ademi janë të përkushtuar jo vetëm për suksesin e momentit, por edhe për krijimin e një trashëgimie të qëndrueshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *