Ancelotti: I lodhur nga diskutimet për Vinicius, por ai është i lumtur te Real Madridi
Real Madridi përballet sot me Osasunën në La Liga, në një sfidë ku synon të ruajë kreun e renditjes. Në konferencën për shtyp para ndeshjes, trajneri Carlo Ancelotti foli për situatën e skuadrës dhe u ndal edhe te çështja e Vinicius Junior, për të cilin ka pasur shumë zëra kohët e fundit.
Ancelotti theksoi se ekipi është në gjendje të mirë pas kthimit nga Manchesteri dhe ka dëshirë të konfirmojë momentin pozitiv: “Jemi të motivuar dhe e dimë që kjo është një mundësi për të ruajtur kryesimin. Nuk do të jetë e lehtë, por skuadra është gati”, tha ai.
I pyetur nëse është i lodhur nga diskutimet për Vinicius, trajneri italian u përgjigj sinqerisht: “Po, jam i lodhur, por nuk jam i shqetësuar. Vinicius është i lumtur këtu dhe edhe ne jemi të lumtur me të. Nuk ka vend për spekulime, sepse as ai vetë nuk e diskuton këtë temë. Është i përqendruar te futbolli dhe dëshiron të japë maksimumin”.
Në lidhje me akuzat se skuadra ndonjëherë ul ritmin gjatë ndeshjeve, Ancelotti tha: “Jo, nuk mendoj se kemi një problem të tillë. Ekipi e ka kuptuar rëndësinë e sakrificës dhe e tregoi këtë kundër Manchester City-t. Tani na duhet vazhdimësi”.
Sa i përket rolit të Vinicius te Real Madridi dhe thashethemeve për të ardhmen e tij, trajneri italian theksoi: “Mund të flas vetëm për atë që shoh: një lojtar të lumtur që dëshiron të bëjë histori me këtë klub”.
Në fund, Ancelotti u pyet nëse Real Madridi është i zemëruar me mënyrën se si po trajtohet Vinicius nga faktorë të jashtëm. “Nuk kam informacion për këtë”, ishte përgjigja e tij e shkurtër.
