Ancelotti – Guardiola, përsëri përballë njëri-tjetrit. A do të përsëritet sezoni i kaluar?

Përsëri kundër njëri-tjetrit. Edhe një herë, për një vend në finalen e Ligës së Kampionëve. Si sezonin e kaluar. Carlo Ancelotti dhe Pep Guardiola përballen në sfidën e dyfishtë, që vlen kualifikimin në aktin e fundit të kompeticionit.

Sezonin e kaluar ishin ‘Los Blancos’ ato që përparuan në finale falë përmbysjes. Humën 4-3 në ndeshjen e parë, në “Etihad”, më pas epilogu i bujshëm në Madrid. Manchester City në avantazh 1-0 dhe në minutën e 90-të, Rodrygo barazoi rezultatin deri në parakalimin përfundimtar nga Karim Benzema.

Real Madridi, i cili arriti në gjysmëfinale pasi mposhti Liverpool-in në 1/8 finale dhe Chelsea e Lampardit në çerekfinale, mbërrin në këtë ndeshje i freskët nga fitorja e “Copa del Rey” në finale kundër Osasuna. Të besuarit e Ancelottit e kanë vendosur Ligën e Kampionëve në pamjet e tyre si objektivi i madh i sezonit, pas humbjes së La Liga-s, me Barcelonën një hap larg titullit.

Ndërkohë, Manchester City mundi Leipzig dhe Bayern Munich në raundet pararendëse me eliminim direkt dhe është i pamposhtur që nga fillimi i shkurtit. Skuadra e Guardiolës është rikthyer në krye të Premier League, si dhe tashmë ka marrë kualifikimin në finalen e “FA Cup”.

Ancelotti dhe Guardiola, dy nga trajnerët më të suksesshëm të mijëvjeçarit të ri, me 5 Champions League në total, do të garojnë për të nëntën herë në karrierë. Bilanci i buzëqesh katalanasit me 5 fitore, edhe nëse Ancelotti ka fituar ndeshjet më të rëndësishme direkte.

Tri fitoret e trajnerit italian i dhanë atij dy herë finalen e Ligës së Kampionëve. Përveç përmbysjes në gjysmëfinalet e sezonit të kaluar, dy fitoret e tjera datojnë në gjysmëfinalen e vitit 2014 midis Bayernit të Guardiolës dhe Real Madridit të Ancelottit, i fituar nga ky i fundit. Nga 5 ndeshjet e fituara nga Guardiola, 4 datojnë në periudhën në të cilën Ancelotti u ul në stolin e Evertonit.

Krahasuar me një vit më parë, këtë herë Pep Guardiola do të mund të llogarisë një Erling Haaland shtesë. Norvegjezi ka 51 gola dhe do të drejtojë sulmin e City. Trajneri katalanas nuk do të ketë Aké në dispozicion, jashtë për shkak të lëndimit, dhe rigjen Walker që në fillim. I vetmi dyshim ka të bëjë me balotazhin mes Mahrez dhe Bernando Silva, me favoritin portugez për të përfunduar treshen ofensive me Haaland dhe Grealish.

Nga ana tjetër, Ancelotti duhet të bëjë pa Militaon e pezulluar. Cammavinga konfirmohet në rolin e ri të mbrojtësit të majtë, ndërsa Valverde ngjitet në mesfushë, përkrah Kroos dhe Modric. Rodrygo do të luajë përpara, në treshen e kompletuar nga Benzema dhe Vinicus.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *