Amorim: Manchester United ka shumë punë për të bërë, pavarësisht fitores ndaj Southampton

Manchester United arriti një fitore të vuajtur 3-1 ndaj Southampton në një ndeshje ku “Djajtë e Kuq” përmbysën rezultatin në minutat e fundit. Southampton kaloi i pari në avantazh, por skuadra e drejtuar nga Ruben Amorim arriti të reagojë me tre gola, të gjithë të realizuar nga Diallo, duke siguruar tri pikë të rëndësishme dhe duke vazhduar momentin pozitiv.
Pavarësisht rezultatit, paraqitja e United ngriti shqetësime të tjera, duke treguar vështirësitë e ekipit për të dominuar kundër kundërshtarëve më të dobët, ndonëse kanë pasur performanca të mira ndaj skuadrave më të forta.
Pas ndeshjes, trajneri Ruben Amorim komentoi situatën e ekipit të tij:
“Në fund, i gëzohemi fitores, pasi ishte një ndeshje e vështirë. Kur ata u lodhën, ne gjetëm hapësirat për t’i përdorur dhe për të ndryshuar lojën,” tha ai.
Amorim theksoi gjithashtu nevojën për përmirësime afatgjata, duke pranuar se skuadra e tij ka shumë punë për të bërë:
“Ndjenja është se ne kemi kaq shumë për të bërë në të ardhmen. Ekipi ishte vërtet i lodhur, pasi luajtëm ndaj Liverpool dhe më pas 120 minuta ndaj Arsenal. Nuk është vetëm pjesa fizike, por edhe ajo mendore e lojtarëve. Le të shijojmë fitoren dhe të vazhdojmë.”
Në lidhje me performancën e skuadrës, Amorim u shpreh:
“Nuk bëmë një lojë të mirë, por në fund rezultati e ndihmoi bisedën. Ishte më e rëndësishme të fitonim. Unë e di që tifozët duan të shohin futboll shumë më të mirë se ky. Unë dua të shoh futboll më të mirë se ky, por ne kemi nevojë për kohë. Për të fituar kohë, ne duhet të fitojmë ndeshje dhe ne e bëmë.”
Manchester United vazhdon të kërkojë konsistencë në performancat e tyre, ndërsa Amorim mbetet optimist për përmirësimet që do të vijnë në të ardhmen.