Altin Kryeziu shkëlqen në Uzbekistan, zgjidhet për herë të tretë në formacionin e javës

Altin Kryeziu po kalon një formë të jashtëzakonshme në kampionatin elitar të Uzbekistanit, ku po shkëlqen me fanellën e skuadrës FK Andijon. Ish-anëtari i Kombëtares U21 të Kosovës është zgjedhur për herë të tretë në formacionin më të mirë të javës, në vetëm shtatë ndeshje të zhvilluara deri më tani të edicionit në Uzbekistan. Mesfushori defanziv dardan ka qenë një nga pikat më të forta të ekipit të tij, duke udhëhequr me lojë të pjekur, shpërndarje të shkëlqyer të topit dhe qëndrueshmëri në mesfushë. Kontributi i tij ka ndikuar drejtpërdrejt në rezultatet pozitive të FK Andijonit, që këtë sezon po synon të jetë pretendent për pjesën e lartë të renditjes. Forma e lartë e 23-vjeçarit nuk ka kaluar pa u vërejtur. Disa klube evropiane tashmë kanë shprehur interesim konkret për shërbimet e tij. Altini shihet si një profil i duhur për mesfushën e skuadrave që kërkojnë stabilitet dhe kreativitet njëkohësisht.Kjo është një dëshmi e rrugës së mbarë që po ndjek Altin Kryeziu në karrierë, teksa nuk përjashtohet mundësia që shumë shpejt ta shohim në një prej ligave evropiane më të forta. Kombëtarja e Kosovës, gjithashtu, mund të përfitojë nga forma e tij e lartë, me mundësi për një rikthim të merituar në kombëtaren A, sidomos duke pasur parasysh faktin se në qershor do të ketë ndeshje miqësore dhe përzgjedhësi Franco Foda mund të provojë lojtarë të ri.