Albion Rrahmani rikthehet te goli, dërgon Sparta Pragën në çerekfinale të Kupës së Çekisë
Sparta Praga ka siguruar kualifikimin në raundin tjetër të Kupës së Çekisë pas fitores 2-1 në udhëtim ndaj Artis, teksa heroi i mbrëmjes ishte sulmuesi kosovar, Albion Rrahmani.
Skuadra mysafire kaloi fillimisht në epërsi me golin e John Mercados (27’), ndërsa Artis barazoi rezultatin pak para pushimit me Quadri Adebayo Adediran.
Në pjesën e dytë, kur gjithçka po shkonte drejt barazimit, Albion Rrahmani mori përgjegjësinë dhe nga penalltia në minutën e 89-të shënoi golin e fitores, duke vulosur rezultatin 2-1 dhe kualifikimin e Sparta Pragës.
Ky gol ka rëndësi të madhe për Rrahmanin, i cili po kalonte një periudhë shterrpë dhe shpresohet se do t’i rikthejë formën dhe vetëbesimin në vijim të sezonit.
