Agim Ademi flet për projektet infrastrukturore dhe digjitalizimin në futbollin kosovar

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka folur për zhvillimet infrastrukturore dhe digjitalizimin në futbollin kosovar gjatë një interviste në emisionin “A Play” në ATV. Ai theksoi se investimet e UEFA-s dhe FIFA-s në futbollin kosovar realizohen përmes projekteve të miratuara, duke ndjekur kritere të caktuara.

Ademi u shpreh se fondet e UEFA-s dhe FIFA-s ndahen projekt pas projekti, duke siguruar investime të qëndrueshme në infrastrukturën sportive të Kosovës. Ai theksoi se aktualisht janë duke u realizuar projekte të mëdha, përfshirë përfundimin e stadiumit të kategorisë së katërt në Kampin Nacional, e që, sipas tij, do të jenë ndër më të lirët në Evropë dhe Ballkan.

“Kampi Nacional, Kampi në Obiliq dhe ai në Batllavë, si dhe pjesa e sallës së sportit, të gjitha janë donacione që vijnë nga programet e UEFA-s dhe FIFA-s, por që realizohen edhe më mbështetjen e partnerëve të FFK-së” tha Ademi.

Ai shtoi se FFK është e gatshme të investojë në çdo komunë të Kosovës që tregon gatishmëri për bashkëpunim dhe nënshkruan një memorandum mirëkuptimi me federatën. Sipas tij komunat duhet të përgatisin vetëm pjesën e tyre të infrastrukturës, ndërsa FFK mund të përfundojë fushën me bari sintetik brenda 30 deri në 45 ditësh.

Digjitalizimi i futbollit përmes programit ‘MyFFK’

Një tjetër temë e rëndësishme në intervistën e Ademit ishte digjitalizimi i futbollit në Kosovë përmes programit ‘MyFFK’, i cili është rezultat i bashkëpunimit me Federatën e Futbollit të Arabisë Saudite.

“Ky është programi më i sofistikuar dhe është një pilot projekt që është duke u zbatuar tek ne. Ky lloj programi do të përdoret edhe në Kupën e Botës që do të organizojë Arabia Saudite,” tha Ademi.

Ai bëri të ditur se programi është dhënë falas për FFK-në dhe se ekspertët nga Arabia Saudite kanë mbajtur seminare dhe e kanë instaluar sistemin.

“Tani programi ka filluar dhe është duke u implementuar. Të gjitha Lidhjet Rajonale, klubet dhe shoqatat që janë pjesë e futbollit do të jenë të lidhura dhe do të kenë qasje në kohë reale për ato që u duhen” theksoi ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *