Agim Ademi, arkitekti i transformimit të Kombëtares së Kosovës
Ardhja e Albian Hajdarit te Kombëtarja e Kosovës nuk është thjesht një rastësi, ajo është rezultat i një pune të jashtëzakonshme strategjike nga presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi dhe ekipi i tij. Në një kohë shumë të shkurtër, Ademi ka arritur të bindë dy prej talenteve më premtues të futbollit kosovar në diasporë, Leon Avdullahun dhe Albian Hajdarin, që të lënë grupmoshat e Zvicrës dhe të bashkohen me vendin e tyre të origjinës.
Ky sukses nuk matet vetëm me emra, por me ndikimin e menjëhershëm që këta lojtarë kanë për të ardhmen e Kombëtares dardane. Me përvojën e tyre ata sjellin një nivel profesionalizmi dhe aftësi konkurruese që do të ndihmojnë për të ngritur standardin e ekipit dhe për të frymëzuar gjeneratat e reja të futbollistëve kosovarë.
“Misioni i kompletuar, Hat Trick i Kosovës te Hoffenheimi”, është mbishkrimi Ademit në Instastory pas zyrtarizimit të Hajdarit te Kosova, në një foto të përbashkët me Fisnik Asllanin, Leon Avdullahun dhe Albian Hajdarin. Kjo foto është shumë më shumë se një imazh simbolik është dëshmi e vizionit dhe përkushtimit të një lideri që punon pa u lodhur për të ndërtuar një Kombëtare konkurruese dhe të bashkuar, me synim të arritjes së ëndrrës së kamotshme, kualifikimit në Botëror dhe Evropian.
Ardhja e Hajdarit tregon se strategjia e presidentit Ademit nuk është vetëm për të “tërhequr lojtarë”, por për të krijuar një kulturë ku talenti kosovar ndihet i vlerësuar dhe i motivuar për të dhënë maksimumin për Kombëtaren. Ky është rezultati i punës së madhe, i kontaktave të mençura dhe i aftësisë për të bindur lojtarët që të identifikohen me ëndrrën e Kombëtares së Kosovës, pavarësisht se kanë edhe opsione tjera në karrierë.
Në fund, misioni i kompletuar i Ademit nuk është thjesht një sukses personal, ai është një hap i madh drejt ndërtimit të një të ardhmeje të ndritur për futbollin e Kosovës. Me lojtarë si Hajdari, Avdullahu dhe Asllani, Kombëtarja e Kosovës jo vetëm që po përforcohet, ajo po transformohet dhe ky transformim është meritë e një strategu të vërtetë, Agim Ademit.
Prandaj, kësaj radhe presidentit Ademi duhet hequr kapela!
