Ademi: Tani është më e lehtë t’i bindim talentet, zemra e tyre rreh për Kosovën
Presidenti i FFK-së, Agim Ademi e pranoi se sukseset e fundit e kanë bërë më të lehtë t’i bindin talentet e shumta që janë të shpërndara kudo në botë për të patur zgjedhje të parë Kosovën, por se ka thënë se merita për këtë kanë edhe baballarët e këtyre talenteve.
“Tani për t’i bindur futbollistët nuk është e vështirë, pasi baballarët dhe nënat e tyre janë me prejardhje nga Kosova. Diasporës tonë ju duket që i kanë ngelur borxh Kosovës gjithmonë dhe tashmë janë shumë të lumtur nëse fëmijët e tyre e prezantojnë Kosovën dhe e ngrisin pikërisht me dhuntinë e tyre të futbollit. Unë realisht dëshiroj që secili futbollist me të cilin foli fillimisht ta ndjenë Kosovën me zemër dhe më pastaj të vendos për të. Është e vërtetë që shumica prej tyre janë të lindur në shtete si Gjermania, Zvicra dhe gjithandej Evropës dhe normalisht i bie që shtetin e tyre ta kenë ku kanë lindur, por Kosova është diçka më e madhe për ta për shkak se i kanë të gjithë familjarët dhe është familja e cila thjesht e e frymëzon për ta përfaqësuar Kosovën. Besoj që fillimisht zemra dhe pastaj edhe projekti ynë të cilin e kemi janë bashkuar të dyjat dhe secili nga futbollistët e ka gjetur veten dhe e ka parë veten aty te ky projekt dhe zemra e tij i ka thënë që të vendosë për Kosovën. Pra, tanimë është më e lehtë për faktin se është krijuar një ekip, është krijuar një rezultat dhe sigurisht që kanë edhe shokët e tyre në klube të cilët janë po ashtu të mirë dhe janë potencial për ekipet kombëtar. Sigurisht që nëpërmes tyre do ta kemi më të lehtë që t’i ofrojmë këta futbollistë”, tha Ademi në “News24”, raporton Futbolli.info.
Ademi ka folur edhe për një moment të ndjeshëm të ndeshjes Kosovë–Zvicër, ku Granit Xhaka u fishkëllua nga një pjesë e tifozëve në stadiumin ‘Fadil Vokrri’.
“Nuk është gjë e mirë. Granit Xhaka është një prej futbollistëve më të mirë shqiptarë në vitet e fundit. Sigurisht nuk ka qenë i gjithë stadiumi, por vetëm një pjesë, por gjërat e tilla ndodhin. Ndoshta është bërë për ta dekoncentruar kundërshtarin sepse ai ishte me Zvicrën dhe luante kundër Kosovës… Gjithsesi e kam thënë edhe më parë Graniti është aset kombëtar dhe familja e tij jeton në Prishtinë”.
