Ademi përgëzon Lidhjet Rajonale: Angazhim dhe reforma të reja për avancimin e futbollit

Procesi zgjedhor në shtatë regjionet e Federatës së Futbollit të Kosovës ka përfunduar me sukses. Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, përmes një mesazhi ka falënderuar të gjitha regjionet për organizimin e shkëlqyer dhe angazhimin gjatë këtij procesi të rëndësishëm.
Në mesazhin e tij, Ademi ka përgëzuar anëtarët e regjioneve për përkushtimin e vazhdueshëm ndaj zhvillimit të futbollit në rajonet përkatëse, duke nënvizuar arritjet e viteve të fundit.
“Puna juaj ka qenë e jashtëzakonshme! Ju keni kontribuar në avancimin e futbollit, organizimin e garave dhe masovizimin e këtij sporti. Shumë shkolla futbolli janë hapur, ndërsa ato ekzistuese kanë shtuar ndjeshëm numrin e anëtarëve”, tha presidenti i FFK-së.
Ai po ashtu ritheksoi përkushtimin e FFK-së për të mbështetur regjionet me projekte konkrete dhe reforma të reja, duke përfshirë digjitalizimin përmes platformës inovative “My FFK”.
Ademi uroi kryetarët e LRV-ve për detyrat që i presin, duke shprehur besimin e tij në aftësitë dhe përkushtimin e tyre për të çuar përpara zhvillimin e futbollit.
Kryetarët e zgjedhur në 7 regjionet e FFK-së: Ismajl Ajeti – Prishtinë,
Bardhec Seferi – Mitrovicë, Avdi Gashi – Pejë, Mirsad Qollaku – Prizren, Ilaz Mjaku – Ferizaj, Armend Misini – Gjilan dhe Agim Nura – Gjakovë