Ademi në Gjakovë, Istog e Pejë: FFK do të vazhdojë të jetë mbështetëse e klubeve dhe shkollave të futbollit

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, sot ka qëndruar edhe në Gjakovë, Istog dhe Pejë.
“Së bashku me anëtarin e Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, Agim Nura, dhe anëtarët e Lidhjes Rajonale të Futbollit të Gjakovës, vizita ishte mbresëlënëse”.
Presidenti Ademi ka thënë se implantimi i ri i barit në stadiumin e qytetit, një nga fushat më të mira në Kosovë, është shembull i përkushtimit për futbollin.
“Me stadiumin që po përfundon, viti 2025 do të jetë historik për sportin në këtë qytet. FFK-ja do të vazhdojë të mbështesë çdo projekt zhvillimor! Anëtarëve të LRF Gjakova dhe komunitetit të futbollit në Gjakovë u përcolla urimet për Vitin e Ri”, ka shkruar Ademi.
I pari i futbollit tonë përmes llogarisë së tij në rrjetet sociale, ka bërë më dije se ka vizituar fushën ndihmëse në Istog, derisa më pas ka takuar edhe anëtarët e Lidhjes Rajonale të Futbollit në Pejë.
“Ndalesa ime e fundit për sot ishte në Regjionin e Pejës, ku fillimisht pata kënaqësinë të vizitoj fushën ndihmëse që po përfundon në Istog. Së bashku me nënkryetarin e FFK-së, Bakir Burri, takuam anëtarët e Lidhjes Rajonale të Futbollit në Pejë. Në këtë takim të përzemërt, ju ritheksova se edhe në vitin 2025, Federata e Futbollit të Kosovës do të vazhdojë të jetë mbështetëse e klubeve dhe shkollave të futbollit në këtë regjion. Ndihma jonë do të jetë e vazhdueshme për t’i fuqizuar projektet dhe zhvillimin e futbollit në këtë zonë me traditë të pasur sportive.Në fund, në emër të familjes së madhe të futbollit në vend, ju urova të gjithëve Vitin e Ri dhe shpreha dëshirën për suksese të mëtejshme në të gjitha nivelet e futbollit. Së bashku, do të vazhdojmë të punojmë për të ardhmen e ndritur të futbollit kosovar”, ka shkruar ai.