February 2026
M T W T F S S
 1
2345678
9101112131415
16171819202122
232425262728  
February 13, 2026

Ademi në ‘A Play’: Askush nuk mund të jetë mbi klubet dhe mbi integritetin e garave


Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ishte i ftuar në emisionin “A Play”, ku foli për sfidat dhe rëndësinë e ndarjes së drejtësisë në futbollin kosovar.

Ademi theksoi se gjyqtarët janë gjithmonë në qendër të vëmendjes, jo vetëm në Kosovë, por në të gjithë botën, dhe shpeshherë janë cak i kritikave të padrejta. Ai nënvizoi se në futbollin modern, vendimet e arbitrave janë shpesh objekt diskutimi, pavarësisht nëse ato janë të sakta apo të diskutueshme.

“Nuk është vetëm në vendin tonë, por kudo në botë ku luhet futboll, gjyqtari është një pikë qendrore për publikun, për lojtarët dhe për klubet. Është një pikë referuese si për të mirë, ashtu edhe për të keq. Sa herë keni dëgjuar dikë të thotë ‘sulmuesi im i humbi pesë raste të qindpërqindta’? Por, nëse një faull është apo nuk është dhe nga ai realizohet një gol, gjithmonë fajtor shihet gjyqtari apo federata”, tha Ademi.

Ai gjithashtu foli për presionin e madh që u bëhet gjyqtarëve dhe theksoi se ndonëse gabimet janë pjesë e lojës, tendencat e qëllimshme ndëshkohen ashpër.

“Është e padrejtë sulmi që i bëhet gjyqtarëve dhe që nuk i lënë të qetë të referojnë. Kur ka tendencë, ajo shihet, dhe ne kemi gjyqtarë të dënuar e të përjashtuar. Edhe kur gabojnë pa dashje, ata sanksionohen, sepse duam të mbrojmë klubet dhe integritetin e garave. Askush nuk mund të jetë mbi klubet dhe mbi integritetin e garave”, shtoi ai.

Presidenti i FFK-së rikujtoi se Federata po punon në vazhdimësi për të rritur transparencën dhe për të analizuar rastet e diskutueshme në gjykim. Ai konfirmoi se analizat e vendimeve të gjyqtarëve tashmë po publikohen në kanalet sociale të FFK-së, në mënyrë që klubet dhe opinioni sportiv të kenë një pasqyrë të qartë mbi vendimet që merren në fushë.

“Ne i mbrojmë gjyqtarët sepse janë tanët dhe nuk lejojmë që padrejtësisht t’u hidhet faji për çdo gjë. Por, tani po i publikojmë analizat e detajuara të rasteve duke treguar se ku ka pasur gabime dhe ku jo”, nënvizoi Ademi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *