July 2024
M T W T F S S
1234567
891011121314
15161718192021
22232425262728
293031  
July 2, 2024

Festë futbolli për vajza, FFK përmbyll me sukses projektin ‘Girls Just Want To Play Football’

3 min read

Edicioni i dytë i projektit “Girls Just Want To Play Football” i organizuar nga Federata e Futbollit e Kosovës në kuadër të programit të UEFA-së “HatTrick”, me mbështetjen e Shoqatave Komunale të Pedagogëve, përkatësisht të profesorëve të kulturës fizike e sportive u realizua me një festë të vërtetë futbolli në gjashtë komuna të Kosovës. Në këtë projekt të rëndësishëm morën pjesë 99 shkolla të ciklit fillor të mesëm të ulët, e të cilat u përballën me zell dhe pasion në garat e tyre lokale. Rreth 1000 vajza të talentuara të moshës 9 deri në 13 vjeçe, të cilat ishin të përfshira në këtë projekt treguan shkathtësi dhe dëshirë të madhe për të luajtur futboll.

Trajnerët e përfshirë në këtë projekt e kishin detyrën e vështirë për të përzgjedhur lojtaret më të mira nga secila komunë për të përfaqësuar ekipet në fazën finale. Pas një procesi jo të lehtë përzgjedhjeje, pasi kishte shumë talente që ishin pjesë e këtij projekti, sot, në Kampin Nacional në Hajvali u zhvillua faza e fundit e turneut me pjesëmarrjen e ekipeve nga Vitia, Lipjani, Fushë Kosova, Vushtrria, Gjakova dhe Klina.

Edhe në këtë fazë u zhvilluan ndeshje mjaft interesante, ku secila prej ekipeve përfaqësuan me krenari komunat e tyre. Në ndeshjen finale ekipi i Klinës arriti të trimfojë bindshëm ndaj ekipit të Gjakovës, me rezultat 4:0.

Gjatë ceremonisë së shpërblimit, Vjollca Krasniqi, anëtare e KE të FFK-së dhe kryetare e Komisionit për futbollin e femrave, nuk kurseu lëvdatat për të gjitha vajzat dhe pedagogët e trajnerët që morën pjesë në projekt. Ajo i falënderoi vajzat e reja që ishin pjesë e projektit dhe që shkëlqyen me talentin e tyre në futboll, duke i inkurajuar që të bëhen pjesë e këtij sporti edhe me angazhim në klube. Në fund, ajo e ndau trofeun për ekipin kampion të projektit – Klinën, ndërsa Valbona Gashi Uka, menaxhere e futbollit të femrave, i dha trofeun e ekipit nënkampion, Gjakovës.

Ky projekti dëshmon se vajzat në çdo cep të vendit tashmë kanë dëshirë të jenë pjesë e kësaj loje dhe kanë mundësi që krahas mësimit të jenë aktive edhe në futboll. Federata e Futbollit e Kosovës së bashku me partnerët e saj do të vazhdojnë të përkrahin zhvillimin e futbollit të vajzave, në mënyrë që atyre t’u krijohet një e ardhme e ndritur dhe të ndjekin rrugën drejt suksesit në nivelet e larta të këtij sporti.

Projekti “Girls Just Want To Play Football” ka ndikuar në rritjen e interesimit dhe pjesëmarrjes së vajzave në futboll në Kosovë, prandaj në të ardhmen e afërt synohet të nisin garat në nivel vendor edhe për grupmoshën U13.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *