July 2024
M T W T F S S
1234567
891011121314
15161718192021
22232425262728
293031  
July 2, 2024

Kosova synon fitore me dominim në fushë ndaj Bjellorusisë

3 min read

Ndeshja në mes të Bjellorusisë dhe Kosovës luhet të hënën në Budapest të Hungarisë. Nikoqire e takimit që nis në ora 20:45 është Bjellorusia. Ndeshja do të luhet pa shikues, sipas vendimit të mëhershëm të UEFA-s.

Giresse insiston se Kosova synon t’i fitoj pikët e plota ndaj bjellorusëve duke dominuar në fushë.

“Kemi analizuar lojën e Bjellorusisë, ashtu siç besoj se edhe bjellorusët kanë vepruar njëjtë. Kemi analizuar në veçanti lojën e fundit të tyre ndaj Izraelit. Por jo gjithnjë duhet ne t’u përshtatemi kundërshtarëve. Ne duhet t’i detyrojmë ata që të përshtaten në lojën e tonë. Pra, ne duhet t’ua imponojmë lojën tonë. Qëllimi është të dominojmë në ndeshjen ndaj Bjellorusisë”, ka thënë Giresse të dielën në konferencën për media.

Pikët për “Dardanët” janë të domosdoshme, sidomos pas dështimit ndaj Rumanisë të premten në “Fadil Vokrri”.

“Pjesën e parë e kemi luajtur në Prishtinë dhe shpresojmë tani të marrim rezultat pozitiv”, është shprehur Giresse.

Dueli ndaj Bjellorusisë është i katërti për Kosovën në ciklin kualifikues për “Euro 2024”. Kosova nga tri ndeshje të zhvilluara në grupin I ka vetëm tri pikë. Në mars barazoi me Izraelin e Andorrën, njëjtë si ndaj Rumanisë.

Giresse nuk dëshiron të flas për të kaluarën. Ai thotë se fokusi është për ndeshjet e radhës.

“Nuk do të kthehesha të flas si kemi luajtur në tri ndeshjet e kaluara, por ajo që na ka munguar në tri ndeshjet ka qenë goli. Kemi treguar futboll të mirë në ndeshjen e fundit, por në fund nuk shënuam. Besoj se duhet të luftojmë më shumë për të shënuar gola dhe nëpërmjet tyre të arrijmë deri te fitorja, që është edhe qëllimi jonë gjithnjë”, ka theksuar përzgjedhësi.

“Dardanët” kanë shënuar vetëm dy gola në tri ndeshje. Kosova zë vendin e katërt në grup me tri pikë. Lidere është Zvicra me nëntë pikë. Rumania renditet e dyta me shtatë pikë, kurse në vendin e tretë është Izraeli me katër pikë. Andorra është e pesta me një pikë, ndërsa Bjellorusia është në kërkim të pikëve të para.

Giresse nuk ka zbuluar nëse do të ketë ndryshime në përbërjen e Kosovës. Ka thënë se të gjithë lojtarët e ftuar bëjnë pjesë në planet e tij.

Ai ka theksuar se Milot Rashica është në dyshim për ndeshjen ndaj Bjellorusisë për shkak të një lëndimi, ndërsa për lënien jashtë të Mirlind Kryeziut në ndeshjen ndaj Rumanisë thotë se ka qenë “vendim sportiv”.

Trajneri francez ka shtuar se në planet e tij bën pjesë edhe Ermal Krasniqi.

Përkrah trajnerit Giresse në konferencë për media ishte mesfushori Betim Fazliji. Edhe Fazliji thotë se fitorja është jetike për Kosovën, për rrugëtimin e saj në ciklin kualifikues për Evropianin që mbahet në Gjermani.

“E dimë se çfarë vlere ka ndeshja. Do ta japim maksimumin dhe presim t’i marrim me vete pikët e plota. Kemi ende gjasa të mëdha për t’u kualifikuar. Duhet të shkojmë lojë për lojë. Qëllimi është t’i marrim pikët e plota ndaj Bjellorusisë”, ka thënë Fazliji.

Ai e sheh pozitive mungesën e shikuesve në tribuna.

“E mira është që nuk luajmë në vend të tyre dhe nuk ka shikues. Loja e fundit që kishim ndaj Rumanisë ishte e vështirë, fusha ishte e vështirë për të dyja ekipet. Nuk ishte e lehtë të luajmë ndeshje të mirë. Të gjithë e dimë se është e vlefshme dhe duhet t’i marrim pikët e plota për në Kosovë”, ka thënë Fazliji.

Fazliji dhe futbollistët tjerë të Kosovës të dielën pasdite zhvilluan stërvitjen e fundit për ndeshjen ndaj Bjellorusisë. Në Budapest, Kosova arriti të dielën në mëngjes.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *