Trajneri i momentit, Xabi Alonso: “Koka është shpesh më e rëndësishme te futbollistët!”
Xabi Alonso pati guximin për të marrë drejtimin e Bayer Leverkusen në një moment të vështirë. Skuadra po vuante, por ish-mesfushori i madh spanjoll kishte besim të palëkundur te puna e tij dhe kualiteti i skuadrës. “Dua të luajmë një futboll modern, që do të thotë dominim dhe intensitet, në lojën me dhe pa top. Nuk e shikoj renditjen, mua më intereson puna e përditshme.
Rrëzimi nga Kategoria? As më kalon nëpër mendje. Kam besim të madh te lojtarët, të cilët kanë bërë shumë mirë ndër vite. Thjesht duhet t’i marrim ndeshjet një nga një”, shprehej 41-vjeçari gjatë tetorit të vitit të kaluar.
Bayeri është ringritur, po merr rezultate pozitive dhe po tenton ta mbyllë sezonin në katërshen e parë në Bundesliga. Por jo vetëm kaq, pasi “Aspirinat” kanë mbërritur në gjysmëfinalet e Europa League.
Roma është pengesa që duhet kaluar për të luajtur në finalen e madhe. Ndërkohë, pas suksesit 2-0 ndaj Leipzigut, Alonso e shprehu hapur dëshirën dhe objektivin e tij për të fituar Europa League. “Cilësia e lojtarëve është shumë e mirë, por koka është shpesh më e rëndësishme. Duhet të luajmë me qëndrueshmërinë dhe energjinë e duhur për të fituar Europa League.
Mentaliteti është i mirë, jemi shumë të bashkuar dhe luajmë të përqendruar deri në fund. Tifozët i transmetojnë skuadrës një energji të pabesueshme”, u shpreh Xabi Alonso.
