Ballkani ia prish festën Prishtinës në frymën e fundit të ndeshjes
Skuadra kampione në fuqi, Ballkani ka arritur t’i shmanget humbjes në duel me Prishtinën në frymën e fundit të ndeshjes, duke barazuar në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan, me rezultat 2:2. Portokallezinjtë nga Suhareka kanë barazuar rezultatin në minutën e 99-të nga penalltia, të cilën Genc Nuza e akordoi pas ndërhyrjes nga VAR-i, pasi paraprakisht portieri Kolaj shkaktoi ndërhyrje të palejueshme në zonë, pikërisht në sekondat e fundit të kohës shtesë, kur rezultati ishte 2:1, në të mirë të Prishtinës. I saktë nga pika e bardhë ishte Albion Rrahmani.
Prishtina krijoi epërsi prej dy golash brenda dhjetë minutash në pjesën e dytë. Fillimisht realizoi Bujar Pllana në minutën e 51-të, derisa dhjetë minuta më vonë epërsinë e dyfishoi Endrit Krasniqi, me gol nga distanca. Ndërkohë, rikthimin e Ballkanit e paralajmëroi Nazmi Gripshi, i cili shënoi supergol në minutën e 80-të.
