July 2024
M T W T F S S
1234567
891011121314
15161718192021
22232425262728
293031  
July 4, 2024

Liga e Mbretërve – përpjekja e Piques për ta rrezikuar futbollin spanjoll

6 min read

Nëse vizioni i Gerard Piques rezulton të jetë i duhuri, e ardhmja e futbollit do të vendoset në një pavijon industrial që ndodhet poshtë një rruge, pas rreshtave të kontejnerëve të transportit në periferi të portit të Barcelonës. Atje çdo të diel në mbrëmje prej tani e deri në korrik, skuadrat do të luajnë futboll me shtatë persona në terren me bari artificial përpara një publiku prej disa qindra personash. Nuk ka shitje biletash dhe ndeshjet nuk mund të gjenden në asnjë kanal televiziv brenda ose jashtë Spanjës.

Megjithatë qindra mijëra sy – me shumë mundësi sy të rinj – po i shikojnë tashmë ato ndeshje në telefonë, tabletë dhe kompjuterë nëpërmjet internetit.

Mirë se vini në Ligën e Mbretërve “The Kings League”, ideja më e fundit e Piques që u shfaq pas rishikimit të marrëveshjes së tij me Davis Cup në tenis. Ish-mbrojtësi i Spanjës dhe Barcelonës u tërhoq nga futbolli aktiv në nëntor, në kohën e duhur për t’i dhënë fokusin e plotë lansimit të projektit unik. Liga amatore është një përzierje e së vjetrës dhe e së resë. Ajo përfshin personalitete të njohura të futbollit si ish-portieri i Real Madridit, Iker Casillas, i cili është president ose pronar i një prej 12 skuadrave, dhe ish-sulmuesin e Manchester Cityt, Sergio Aguero, i cili është president-lojtar. Janë edhe disa lojtarë spanjollë të pensionuar.

Në rundin e parë, ylli i Meksikës, Javier Hernandez apo Chicharito bëri një paraqitje të vetme edhe pse ai është lojtar aktiv për LA Galaxy. Për Joan Capdevilan, një mbrojtës i majtë elitar i dikurshëm që ndihmoi Spanjën të fitonte Kupën e Botës 2010 dhe kampionatin evropian 2008, në thelb është një shans për t’u rikthyer.

“Sa herë që mundem, përpiqem të mbathë këpucët e mia të futbollit”, tha 44-vjeçari Capdevila, i cili doli në pension në vitin 2017. “Kështu që është kënaqësi të jem këtu dhe të shoh se si është nga brenda. Do të bëj çdo gjë që më vë në kontakt me një top futbolli, pasi është një pasion që e kam pasur që i vogël”.

Është gjithashtu një rrugëdalje për lojtarët e rinj vendas, të cilët përbëjnë pjesën më të madhe të ligës, për t’u parë pasi kanë kaluar testet dhe një draft. Shumë prej tyre duhej të largoheshin nga klubet e vogla, si David Soriano, një mbrojtës 23-vjeçar që ndërpreu lidhjet me skuadrën e kategorisë së pestë ku luante në stadiume të vogla dhe ndeshjet e të cilit shiheshin rrallë në ndonjë ekran.

“Pasi e mendova shumë, zgjodha Ligën e Mbretërve dhe nuk jam penduar”, tha Soriano. “Kjo është e një madhësie tjetër krahasuar me klubin tim të mëparshëm. Shumë njerëz po shikojnë. Është një mundësi për t’u vënë re dhe për të vazhduar rritjen”.

Megjithatë, paralelet me futbollin profesionist “11 kundër 11”, përfundojnë këtu. Shumica e presidentëve të ekipeve të “Kings League” nuk janë të sportit. Ata janë figura jashtëzakonisht të njohura të internetit në Spanjë dhe në botën spanjolle, “transmetues”, “YouTuber” dhe “ndikues”, publiku i të cilëve ka shumë të ngjarë të ketë kujtime të turbullta, nëse ka fare, për kohën kur Capdevila dhe Casillas ishin mbretër të sportit.

Ato legjione prej miliona ndjekësish janë tani shikues potencialë të “Kings League”, e cila shfaqet falas në platformën “Twitch”, të njohur për transmetimin e e-sporteve dhe video-lojërave.

“Liga e Mbretërve lindi nga një reflektim mbi mënyrën se si është futbolli sot dhe pasi ka një pjesë të audiencës që beson se futbolli ndonjëherë po bëhet produkt i mërzitshëm, se nëntëdhjetë minutat janë shumë të gjata. Po ashtu, ndonjëherë ka barazime”, tha shefi ekzekutiv i ligës, Oriol Querol.

Kjo do të thoshte, tha Querol, se duhet siguruar që “tre minuta të mos kalojnë” pa ndodhur diçka për t’i mbajtur shikuesit të angazhuar. Kështu janë rregullat e çuditshme të Ligës së Mbretërve. Fillimi i ndeshjeve është si te vaterpolo, me skuadrat që garojnë drejt topit në mesfushë. Ashtu si në hokej mbi akull, kartoni i verdhë i jep lojtarit një përjashtim prej dy minutash. Kartoni i kuq do të thotë që një ekip duhet të presë pesë minuta përpara se të zëvendësojë lojtarin e përjashtuar. Barazime nuk ka, pasi ndeshjet vendosen në gjuajtje të penalltive, ku lojtarët fillojnë nga mesfusha dhe kanë pesë sekonda për të shënuar, një formulë e Major League Soccer e përdorur në vitet 1990-a. Zëvendësimet janë të pakufizuara.

Më joshëse është se çdo trajner i ekipit tërheq një “kartë të artë” përpara fillimit, që i jep atij një “armë sekrete” gjatë ndeshjes. Ato përfshijnë një goditje dënimi në çdo moment, duke përjashtuar një lojtar rival për dy minuta dhe që çdo gol i shënuar nga skuadra në dy minutat e ardhshme numërohet dyfish. Një kartë e re e sapoprezantuar do t’i lejojë ekipet të vendosin vetë Piquen në fushë në shërbim të tyre.

Prapa golave, flakët lëshojnë shkëndija pas çdo goli të shënuar. Rishikimet e videove bëhen në një ekran të madh ku lojtarët dhe trajnerët mund të debatojnë dhe të përpiqen të lëkundin gjyqtarin, i cili mban një nga kamerat dhe mikrofonat e shumtë. Dhe pastaj janë truket direkt nga bota e fiksionit ose filmit: një lojtar i maskuar i quajtur “Enigma” ka luajtur dhe vetë Aguero luajti ndeshjen e parë i veshur si klloun.

Në përgjithësi duket se kjo po funksionon. Liga thotë se shikueshmëria e saj maksimale ka arritur në 1.3 milion. Të dielën, rreth 700,000 persona po ndiqnin përmes “Twitch” ose “TikTok” edhe kur Real Madridi po luante në udhëtim te Athletic Bilbao në kuadër të La Ligas. Kompanitë e kanë marrë tashmë parasysh këtë. Sponsorët përfshijnë “Adidas” dhe “Spotify”. “McDonald’s” është ndër reklamuesit, po ashtu.

Barcelona, klubi i vërtetë i futbollit, duket se dëshiron të mos mbetet pas. Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta u paraqit në shfaqjen para ndeshjes së Piques javën e kaluar për të thënë se ai do të hapë stadiumin “Camp Nou” për të pritur “Final Fourin” e “Kings League” në muajin mars.

Liga e Mbretërve ka tërhequr gjithashtu vëmendjen e, teorikisht, rivalit të saj më të madh. Presidenti i ligës spanjolle, Javier Tebas, e ka quajtur atë një “cirk” që “nuk mund të krahasohet me industrinë e futbollit”.

A mund të ketë ai arsye për t’u shqetësuar? 20-vjeçari Marc Leon u shpërblye me një ftesë së bashku me dy miqtë e tij pasi themeluan një klub tifozësh për Rayo Barcelona dhe u vunë re nga presidenti i saj në mediat sociale. Ata përdorin një daulle, tundin një flamur dhe këndojnë këngë gjatë ndeshjeve të Rayos. Për Leonin ka kohë të mjaftueshme për të dy llojet e futbollit.

“Është ndryshe. Ju nuk do të mundni futbollin tradicional me të cilin jemi rritur”, tha Leon. “Ashtu si një ditë tjetër kur erdhëm këtu, shkuam me vrap në shtëpi për të parë Barçën duke luajtur me Madridin. Ne kënaqemi me të dyja ligat”.

Megjithatë, nëse liga spanjolle është tashmë “tradicionale” për Leonin dhe shokët e tij, ndoshta Pique tashmë ka fituar rivalitetin ndaj La Ligas. / AP / KOHA /

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *