November 2026
M T W T F S S
 1
2345678
9101112131415
16171819202122
23242526272829
30  
November 5, 2026

Ramadani: Me përkrahjen e tifozëve synojmë rezultat pozitiv kundër Italisë

Kombëtarja e Kosovës në futsall ka përfunduar sonte përgatitjet për ndeshjen e rëndësishme kundër Italisë, e cila zhvillohet të premten mbrëma, në kuadër të Grupit 10 të “Main Round”-it të kualifikimeve për Kupën e Botës 2028.

Pas katër ditësh përgatitjesh intensive, Dardanët janë të gatshëm për sfidën ndaj kundërshtarit më të fortë në këtë grup. Stafi teknik dhe lojtarët kanë analizuar në detaje lojën e italianëve dhe synojnë ta shfrytëzojnë përparësinë e terrenit vendas, me mbështetjen e tifozëve në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.

Përzgjedhësi Agon Ramadani vlerëson se skuadra është përgatitur mirë në aspektin fizik dhe psikologjik, ndërsa beson se përkrahja e tifozëve mund të jetë një shtysë e rëndësishme për të arritur rezultat pozitiv.

“Si staf kemi bërë punën tonë dhe së bashku me lojtarët kemi analizuar ndeshjen e Italisë kundër Gjeorgjisë. Mendoj se jemi të gatshëm, si nga aspekti psikologjik, ashtu edhe nga ai fizik. Nuk na mungon asgjë për të bërë një paraqitje të mirë. Presim që tifozët tanë të jenë të pranishëm në numër jashtëzakonisht të madh. Me ndihmën e tyre do të mundohemi ta shfrytëzojmë terrenin vendas dhe të luftojmë për një rezultat pozitiv”, ka theksuar Ramadani.

Edhe futbollisti Ramadan Alaj shprehet optimist për këtë përballje, duke theksuar se skuadra ka punuar maksimalisht në aspektin fizik dhe taktik.

“Jemi përgatitur maksimalisht, si në aspektin fizik, ashtu edhe në atë taktik. Shpresoj të paraqitemi sa më mirë. Përkrahja që kemi është jashtëzakonisht e fortë dhe besoj se një numër i madh i shikuesve do të jenë të pranishëm. Kjo do të jetë një mbështetje e madhe për ne në fushë dhe shpresojmë të dalim mirë nga kjo ndeshje e me kokën lart”, është shprehur Alaj.

Në të njëjtën frymë është shprehur edhe Jeton Rukovci, i cili ka bërë thirrje për përkrahje të madhe nga tifozët, duke premtuar se skuadra do të japë maksimumin për të arritur një rezultat pozitiv.

“Stërvitjet kanë shkuar shumë mirë dhe jemi optimistë se mund të marrim rezultat pozitiv. Presim përkrahje të madhe nga tifozët, pasi gjithmonë kur kemi luajtur në shtëpi e kemi pasur mbështetjen e tyre të zjarrtë. Kjo na jep një shtysë të madhe dhe na ndihmon të zhvillojmë ndeshje të mira. Premtojmë se do ta japim maksimumin për të nxjerrë rezultat pozitiv nga kjo përballje”, ka deklaruar Rukovci.

Ndeshja Kosovë –Itali zhvillohet të premten, më 6 nëntor, në orën 20:00, në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *