Umtiti kritikon ashpër Viniciusin: Nuk e njoh më, më vjen keq për të
Samuel Umtiti ka shprehur shqetësimin për formën aktuale të Vinicius Juniorit, duke thënë se sulmuesi brazilian i Real Madridit është shumë larg nivelit që kishte në sezonet e kaluara.
Ish-mbrojtësi i Barcelonës, gjatë një paraqitjeje në emisionin francez “L’After Foot”, nuk i kurseu kritikat ndaj futbollistit madrilen, duke vlerësuar se rënia e tij në formë nuk është thjesht një periudhë e shkurtër negative, por një problem që po zgjat prej muajsh.
“Pothuajse më vjen keq për të. Nuk bëhet fjalë vetëm për paraqitjet e fundit. Të gjithë kalojnë periudha të vështira, është normale, por niveli i tij ka qenë i dobët prej muajsh, ndoshta edhe prej disa sezonesh”, deklaroi Umtiti.
Fituesi i Kupës së Botës me Francën në vitin 2018 theksoi se Viniciusi nuk përbën më të njëjtin rrezik për mbrojtjet kundërshtare dhe se duket se e ka humbur sigurinë në lojën e tij.
“Në sezonet e kaluara, sa herë që e merrte topin, e dije se mund të të dëmtonte. Driblonte kundërshtarët, shënonte gola dhe jepte shumë asistime. Tani po gabon edhe në gjërat më të thjeshta”, shtoi ai.
Umtiti foli edhe për ndikimin që pozicioni i Viniciusit në krahun e majtë ka në organizimin e lojës së Real Madridit, duke përmendur situatën e Diomandés, i cili detyrohet të luajë në krahun e djathtë, ndonëse ky nuk është pozicioni i tij natyral.
“Nuk mund të lejosh gabime të tilla kur luan për Real Madridin”, theksoi francezi.
Sipas Umtitit, një nga arsyet që mund të ketë ndikuar në gjendjen psikologjike të brazilianit është edhe mosfitimi i “Topit të Artë” për vitin 2024.
“Diçka ndryshoi pasi ai nuk e fitoi çmimin për lojtarin më të mirë të vitit 2024. E kam të vështirë të shoh diçka të veçantë tek ai për momentin. Nuk ishte e lehtë ta humbiste atë trofe, por duhet të rikthehet në nivelin e tij të shkëlqyer dhe vendimtar”, u shpreh Umtiti.
Kritika ndaj Viniciusit ka pasur edhe nga ish-futbollisti dhe figura e Real Madridit, Jorge Valdano.
Duke folur për “Movistar”, Valdano nuk u pajtua me vlerësimin e trajnerit José Mourinho, i cili kishte mbrojtur paraqitjen e brazilianit.
“Për një lojtar të kalibrit të tij, kontributi që po jep aktualisht për ekipin është thjesht i pamjaftueshëm. Ai duhet të jetë lojtari që bën diferencën, por për momentin e vetmja diferencë që po krijon është negative”, deklaroi Valdano.
Ai paralajmëroi gjithashtu se nëse Diomandé vazhdon me paraqitjet e mira, Viniciusi mund ta ketë gjithnjë e më të vështirë të gjejë hapësira në formacion.
Braziliani, që në sezonet e fundit ishte një prej futbollistëve më vendimtarë të Real Madridit, po përballet kështu me kritika të shumta dhe pritshmëria është që të rikthejë formën që e bëri një prej yjeve kryesorë të futbollit evropian.
