Ronaldo i jep fund karrierës me Portugalinë: Kam dhënë gjithçka për këtë fanellë
Cristiano Ronaldo ka vendosur t’i japë fund karrierës me përfaqësuesen e Portugalisë, pas 23 vjetësh në fanellën e kombëtares.
Ylli portugez e bëri publik vendimin përmes një mesazhi të gjatë në rrjetet sociale, ku falënderoi tifozët dhe kujtoi rrugëtimin e tij me përfaqësuesen.
“Popullit portugez: Ka ardhur dita të dorëzoj fanellën me numrin 7 të kombëtares, që na përket të gjithëve. Për 23 vjet pata privilegjin dhe përgjegjësinë ta vishja, ta mbroja dhe ta lartësoja në stadiumet e botës”, shkroi Ronaldo.
Ai pranoi se vendimi nuk ishte i lehtë, duke theksuar se gjatë gjithë këtyre viteve kishte dhënë gjithçka për fanellën e Portugalisë.
“Nuk ishte një vendim i lehtë. Disa zgjedhje nuk bëhen vetëm me mendje, por edhe me zemër. Kam dhënë gjithçka për këtë fanellë. Kam gabuar, kam vuajtur, por nuk jam dorëzuar kurrë. Dhe mbi të gjitha, kam qenë gjithmonë krenar që përfaqësova vendin tim”, thuhet në mesazhin e tij.
Gjatë karrierës me Portugalinë, Ronaldo regjistroi 234 paraqitje dhe shënoi 146 gola, duke mbajtur rekordet për numrin e ndeshjeve dhe golave me një kombëtare.
Me fanellën portugeze, ai fitoi tri trofe madhorë: Kampionatin Evropian në vitin 2016 dhe dy herë Ligën e Kombeve.
Ronaldo tha se tani është koha që fanellën me numrin 7 t’ua lërë brezave të rinj, ndërsa kujtoi se përtej golave, trofeve dhe rekordeve, pjesa më e rëndësishme e këtij rrugëtimi kanë qenë njerëzit dhe mbështetja e tifozëve.
“Golët harrohen, trofetë përfundojnë në muze, rekordet mund të thyhen, por ka diçka që koha nuk mund ta fshijë: vendin që kemi fituar në zemrat e njerëzve”, shkroi ai.
Edhe pas largimit nga kombëtarja, ylli portugez premtoi se do të vazhdojë ta përkrahë përfaqësuesen e vendit të tij.
“Nuk do të resht kurrë së qeni njëri prej jush. Do të vazhdoj të vuaj, të gëzohem dhe të festoj çdo fitore të Portugalisë me një ‘Siuuuuuu’”, përfundoi Ronaldo.
