Espi hero i Real Madridit, vendos fitoren në minutën e 91-të ndaj Elches
Screenshot
Real Madridi ka marrë një fitore dramatike në udhëtim te Elche, duke triumfuar me rezultat 2-3, në kuadër të javës së gjashtë të La Ligës.
“Mbretërit” e nisën furishëm ndeshjen dhe pas 33 minutash lojë kishin epërsi prej dy golash. Fillimisht, pas goditjes së Arda Gülerit, topi përfundoi në rrjetën e Elches pas një autogoli të portierit Matias Dituro.
Vetëm pak minuta më vonë, Kylian Mbappé realizoi golin e dytë për madrilenët dhe gjithçka dukej nën kontroll për skuadrën e José Mourinhos.
Megjithatë, vendasit nuk u dorëzuan. Në minutën e 71-të, Abiel Osorio ngushtoi rezultatin në 1-2, ndërsa 12 minuta më vonë Ferran Niño shënoi për 2-2, duke rikthyer entuziazmin në stadium.
Real Madridi u hodh në sulm në kërkim të golit të fitores dhe atë e gjeti në mënyrën më dramatike.
Në minutën e 91-të, në skenë doli Carlos Espi, i cili realizoi golin vendimtar dhe i siguroi “Mbretërve” tri pikët.
Me këtë fitore, Real Madridi shkon në kuotën e 15 pikëve, aq sa ka edhe Barcelona, por katalanasit kanë një ndeshje më pak.
Në xhiron e ardhshme, Real Madridi do të përballet me Atletico Madridin në derbin e qytetit, ndërsa Elche do të udhëtojë drejt Barcelonës për t’u përballur me Espanyolin.
