Ademi nga Selaniku: FFK vazhdon të forcojë bashkëpunimin me UEFA-n
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, po qëndron në Selanik, ku po zhvillohet mbledhja e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, si dhe aktivitetet e organizuara me rastin e 100-vjetorit të themelimit të Federatës Greke të Futbollit.
Në këtë ngjarje po marrin pjesë drejtues dhe përfaqësues të federatave anëtare, si dhe personalitete të njohura të futbollit evropian.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ademi ka theksuar se gjatë qëndrimit në Selanik ka pasur mundësi të takohet me miq dhe kolegë nga familja e futbollit evropian, duke marrë pjesë edhe në aktivitetet festive të organizuara për këtë jubile.
Ai ka veçuar gjithashtu përfshirjen e fëmijëve në këto aktivitete, duke e cilësuar të ardhmen e futbollit si një prej pikave kryesore të ngjarjes.
“FFK vazhdon të jetë e pranishme dhe aktive në familjen evropiane të futbollit, duke forcuar miqësitë, partneritetet dhe bashkëpunimin me UEFA-n dhe federatat tjera”, ka shkruar Ademi.
Mbledhja e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s dhe aktivitetet për 100-vjetorin e Federatës Greke të Futbollit po bashkojnë në Selanik përfaqësues të federatave të ndryshme evropiane.
