August 2026
M T W T F S S
 12
3456789
10111213141516
17181920212223
24252627282930
31  
August 10, 2026

FFK takim me delegatët para edicionit të ri: Mobilizim maksimal për një kampionat të suksesshëm

Në prag të fillimit të edicionit të ri të garave 2026/2027, Federata e Futbollit e Kosovës ka mbajtur takimin e rregullt me delegatët e ndeshjeve të Albi Mall Superligës dhe Ligës së Parë. Ky takim kishte për qëllim bashkërendimin e punëve, ngritjen e nivelit të organizimit dhe përgatitjen sa më të mirë të zyrtarëve për sfidat e kampionatit të ri.

Presidenti Agim Ademi përgëzoi delegatët për punën e bërë deri më tani dhe kërkoi mobilizim e përgjegjësi maksimale që nga java e parë e edicionit të ri.

“Jemi në prag të një edicioni të ri garues që kërkon përkushtim absolut nga të gjithë ne. Delegatët janë pasqyra e profesionalizmit dhe e zbatimit të rregulloreve në fushë. Kërkoj nga secili prej jush mobilizim të plotë, vigjilencë dhe korrektësi maksimale në çdo ndeshje, në mënyrë që kampionati të ketë mbarëvajtje shembullore”, deklaroi presidenti Ademi.

Delegati me përvojë ndërkombëtare, Zgjim Sojeva, mbajti një ligjëratë ku ndau me të pranishmit përvojat e tij nga ndeshjet ndërkombëtare, duke vënë theksin te menaxhimi i situatave komplekse gjatë lojës.

Më pas, zyrtari për Integritet i FFK-së, Gazmend Bojniku, ligjëroi rreth aspektit të integritetit të garave, mbrojtjes së lojës nga çdo ndikim negativ si dhe rëndësisë së parandalimit të çfarëdo parregullsie.

“Integriteti i garave është shtylla kryesore e besueshmërisë së futbollit tonë. Si zyrtarë të ndeshjeve, ju keni rolin kyç në ruajtjen e pastërtisë së lojës dhe frymës së ‘Fair Play’-it. FFK mbetet e kompromisshme ndaj çdo dukurie negative dhe do të garantojë barazi të plotë për të gjithë pjesëmarrësit”, theksoi Bojniku.

Në takim ishin të pranishëm edhe kryetari i Komisionit të Garave, Abdyl Bellopoja, dhe administratori i Superligës dhe Ligës së Parë, Agron Shosholli, të cilët me delegatët diskutuan edhe për ndryshimet në aktet normative të garave, si dhe për çështje të tjera me rëndësi për organizimin dhe mbarëvajtjen e kampionatit të ri.

Pas ligjëratave dhe diskutimeve lidhur me ndryshimet në aktet normative të garave pjesëmarrësit iu nënshtruan edhe testit.

Edicionin e ri e hap ndeshja ndërmjet Feronikelit 74 dhe Gjilanit, që zhvillohet të premten.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *