Spanja kampione e botës për herë të dytë, Ferran Torres rrëzon Argjentinën e Messit në vazhdime
Screenshot
Spanja është kampionia e re e botës. Përfaqësuesja e Luis de la Fuente triumfoi 1:0 ndaj Argjentinës pas vazhdimeve në finalen e Kupës së Botës 2026, duke fituar trofeun e dytë botëror në histori, pas suksesit të vitit 2010.
Heroi i mbrëmjes në stadiumin “New York New Jersey” ishte Ferran Torres, i cili realizoi golin vendimtar në minutën e 106-të, duke i dhënë fund rezistencës së kampionëve në fuqi.
Spanja dominoi thuajse gjatë gjithë ndeshjes, por përballë kishte një Emiliano Martinez në formë të jashtëzakonshme. Portieri argjentinas bëri plot 12 pritje vendimtare dhe mbajti gjallë shpresat e “Albiceleste”, derisa në vazhdime nuk mundi të ndalte goditjen e Torresit. Pas një krosimi të Pedro Porros dhe asistimit me kokë të Nico Williams, sulmuesi spanjoll goditi menjëherë duke dërguar topin në rrjetë.
Argjentina, që mbrojti titullin e fituar katër vite më parë, u gjend në vështirësi edhe më të mëdha në fundin e kohës së rregullt, kur Enzo Fernandez u përjashtua me kartonin e dytë të verdhë. Megjithatë, skuadra e Lionel Scalonit luftoi deri në fund, por nuk arriti t’i rezistonte presionit të pandërprerë spanjoll.
Që nga minuta e parë, Spanja ishte skuadra më kërkuese. Lamine Yamal, Dani Olmo, Mikel Oyarzabal, Pedri, Nico Williams dhe Pau Cubarsi krijuan vazhdimisht raste, por Martinez ishte pengesa kryesore përpara portës argjentinase.
Në anën tjetër, Argjentina nuk arriti të regjistronte asnjë goditje drejt portës gjatë 90 minutave të rregullta, falë organizimit të shkëlqyer defensiv të spanjollëve.
Trajneri i Spanjës, Luis de la Fuente, nuk e fshehu emocionin pas triumfit historik.
“Jam jashtëzakonisht krenar për këtë brez futbollistësh. Ata janë një familje, kanë talent të jashtëzakonshëm dhe kanë fituar gjithçka. Mendoj se ndeshja duhej të ishte vendosur më herët, por pritjet e mëdha të Emiliano Martinezit na e vështirësuan punën,” deklaroi ai.
Në anën tjetër, përzgjedhësi i Argjentinës, Lionel Scaloni, pranoi epërsinë e kundërshtarit.
“Ka trishtim, por edhe krenari sepse dhamë gjithçka. Spanja ishte më e mirë dhe këtë duhet ta pranojmë. Arritja deri në finale është diçka që duhet ta vlerësojmë dhe sot duhet të dimë të humbim me dinjitet,” u shpreh Scaloni.
Autori i golit të artë, Ferran Torres, ia dedikoi suksesin gjithë popullit spanjoll.
“Ky gol është për 47 milionë spanjollë. Finalet janë gjithmonë të vështira, sidomos kur përballë ke Lionel Messin, por ne i qëndruam besnikë stilit tonë të lojës dhe besuam deri në fund. Mendoj se ky triumf ishte i shkruar,” tha Torres.
Me këtë fitore, Spanja ngjitet sërish në majën e futbollit botëror, duke fituar titullin e dytë në histori dhe duke konfirmuar statusin si një prej përfaqësueseve më dominuese të viteve të fundit.
