Meksika me rekord historik, e mbyll grupin me maksimumin e pikëve

Meksika ka vazhduar paraqitjet mbresëlënëse në Kupën e Botës 2026, duke e mposhtur Republikën Çeke me rezultat 3:0 dhe duke siguruar vendin e parë në Grupin A me nëntë pikë nga po aq të mundshme.

Pas një pjese të parë të barabartë, meksikanët zgjidhën gjithçka në pjesën e dytë. Mateo Chávez kaloi ekipin në epërsi në minutën e 55-të, ndërsa Julián Quiñones realizoi golin e dytë vetëm gjashtë minuta më vonë. Në kohën shtesë, Álvaro Fidalgo vulosi fitoren bindëse të skuadrës së drejtuar nga Javier Aguirre.

Kjo është hera e parë në histori që Meksika arrin t’i fitojë të tri ndeshjet e fazës së grupeve në një Kampionat Botëror, duke konfirmuar formën e mirë që po kalon në turneun që po zhvillohet në shtëpinë e saj.

Ndeshja në stadiumin “Azteca” shënoi edhe një moment historik për portierin veteran Guillermo Ochoa, i cili u aktivizua në pjesën e dytë dhe u bë një nga lojtarët e rrallë që kanë marrë pjesë në gjashtë edicione të Kupës së Botës.

Me këtë fitore, Meksika avancon në fazën e eliminimit direkt si fituese e Grupit A, ndërsa Republika Çeke eliminohet nga turneu me vetëm një pikë të grumbulluar në tri ndeshje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *