Budimir mban gjallë Kroacinë, Panamaja i jep fund aventurës në Botëror
Kroacia ka rikthyer shpresat për kualifikim në fazën eliminatore të Kupës së Botës 2026, pasi mposhti Panamanë me rezultat 1:0 në ndeshjen e Grupit L, të zhvilluar në Toronto.
Golin e vetëm të takimit e realizoi Ante Budimir, i cili doli vendimtar për skuadrën e Zlatko Daliqit. Sulmuesi kroat shfrytëzoi një asistim të Josip Stanishiqit dhe në minutën e 54-t shënoi golin që vulosi fitoren e parë të kroatëve në këtë Botëror.
Panamaja u mbrojt me disiplinë dhe tentoi të befasojë kundërshtarin në kundërsulme, por nuk arriti të gjejë rrugën drejt rrjetës. Në anën tjetër, Kroacia kishte kontrollin e lojës, por hasi në vështirësi për të depërtuar në mbrojtjen e organizuar të panamezëve.
“Ishte një ndeshje shumë e vështirë. Ndoshta ndjemë presionin, sepse na duhej patjetër fitorja, por më e rëndësishmja është se i morëm tri pikët”, deklaroi pas ndeshjes selektori kroat, Zlatko Daliq.
Takimi ishte i veçantë edhe për kapitenin Luka Modriq, i cili regjistroi paraqitjen e 200-të me fanellën e Kroacisë, duke hyrë edhe më shumë në historinë e futbollit kroat.
Pas dy ndeshjeve, Anglia dhe Gana kryesojnë Grupin L me nga katër pikë, Kroacia ka tri, ndërsa Panamaja mbetet pa pikë dhe është eliminuar matematikisht nga gara.
Bileta për në fazën tjetër do të vendoset në xhiron e fundit, kur Kroacia do të përballet me Ganën në një duel direkt për kualifikim, ndërsa Anglia do të kërkojë ta sigurojë vendin e saj ndaj Panamasë.
