Artitekti Ardit Hamza prezanton vizionin për stadiumin e ri në Bërnicë
Arkitekti shqiptar që jeton në Austri, Ardit Hamza, ka përfunduar studimet master në Arkitekturë me një projekt që lidhet drejtpërdrejt me sportin dhe të ardhmen e infrastrukturës sportive në Kosovë.
Tema e punimit të tij të masterit ka qenë projektimi i një stadiumi modern futbolli, si dhe hartimi i masterplanit për Fshatin Olimpik të Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.
Sipas Hamzës, stadiumi është paraparë të ndërtohet në Bernicë, afër Prishtinës, ndërsa ai ka publikuar fotografi dhe planet e projektit, duke shprehur dëshirën që të dëgjojë mendimin e tifozëve dhe opinionit sportiv për këtë vizion.
“Do të doja të dëgjoja mendimin e tifozëve për stadiumin që kam projektuar. Stadiumi është paraparë të ndërtohet në Bernicë, afër Prishtinës”, ka thënë Hamza.
Përshkrimi i stadiumit:
Stadiumi i Futbollit për Prishtina 2030 është projektuar në kuadër të temës së Masterit në Arkitekturë nga Ardit Hamza në Technische Universität Graz (TU Graz), Austri. Projekti është pjesë e masterplanit për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030 dhe synon krijimin e një stadiumi modern, funksional dhe të qëndrueshëm, i cili plotëson të gjitha kriteret e UEFA Kategoria 4, duke e bërë të përshtatshëm për organizimin e ndeshjeve dhe garave ndërkombëtare të nivelit më të lartë.
Stadiumi është vendosur në pjesën veriperëndimore të Prishtinës, në pikën më të lartë të kompleksit sportiv, duke u shndërruar në një element orientues dhe simbolik të të gjithë zonës. Lokacioni përfiton nga lidhje të shkëlqyera me rrjetin rrugor, hekurudhor dhe aeroportin, ndërsa përmes një bulevardi qendror lidhet drejtpërdrejt me stacionin hekurudhor dhe hapësirat publike përreth.
Objekti është projektuar me një formë kompakte, të bazuar në një drejtkëndësh me qoshe të rrumbullakosura, e cila siguron afërsi optimale ndërmjet spektatorëve dhe fushës së lojës. Stadiumi ka një kapacitet total prej 22.060 ulësesh, të shpërndara në dy nivele tribunash, ku 13.092 vende ndodhen në tribunën e poshtme dhe 7.212 vende në tribunën e sipërme. Për më tepër, janë paraparë 316 ulëse VIP, 128 vende për persona me aftësi të kufizuara dhe 1.312 vende për tifozët mysafirë, duke përmbushur dhe tejkaluar kërkesat e UEFA-s.
Fusha e lojës është projektuar sipas standardeve ndërkombëtare me dimensione 105 × 68 metra dhe është e pajisur me sistem modern të barit hibrid, i cili garanton cilësi të lartë të sipërfaqes së lojës, rezistencë ndaj përdorimit intensiv dhe mirëmbajtje më efikase.
Koncepti i qarkullimit dhe organizimit funksional është një nga elementet kryesore të projektit. Stadiumi është pjesërisht i integruar në terren për të reduktuar lartësitë e nevojshme dhe për të përmirësuar qasjen. Hyrjet kryesore të spektatorëve ndodhen në anën lindore dhe perëndimore, ndërsa në anën veriore janë organizuar hyrjet për lojtarët, mediat, VIP-at dhe personelin operativ. Përmes shkallëve të mëdha publike krijohet një lidhje e natyrshme ndërmjet stadiumit dhe hapësirave publike përreth, duke e shndërruar zonën hyrëse në një vend takimi dhe aktiviteti për tifozët.
Nënkati i stadiumit përbën zemrën funksionale të objektit dhe përfshin të gjitha hapësirat operative të nevojshme për zhvillimin e ndeshjeve. Këtu ndodhen zhveshtoret e ekipeve, sallat e takimeve, hapësirat e fitnesit dhe fizioterapisë, zonat e mediave, sallat e konferencave, stacioni antidoping, hapësirat për fotografë dhe transmetues televizivë, si dhe sallonet VIP. Lojtarët qasen drejtpërdrejt në fushë përmes tunelit të dedikuar të lojtarëve.
Përdhesa është projektuar kryesisht për parkim dhe qarkullim, me gjithsej 430 vende parkimi për vizitorë, VIP-a dhe personel. Numri i kufizuar i parkingjeve synon të inkurajojë përdorimin e transportit publik dhe të forcojë rolin e stacionit hekurudhor si nyje kryesore e mobilitetit.
Kati i parë shërben si niveli kryesor i shpërndarjes së spektatorëve dhe përmban hyrjet me turnikete, nyjet sanitare, zyrat e sigurisë, stacionet e ndihmës së parë, restorantet, pikat gastronomike dhe hapësirat e tjera të nevojshme për funksionimin e stadiumit. Ndarja e qartë ndërmjet tifozëve vendas dhe mysafirë garanton siguri dhe organizim efikas gjatë ngjarjeve sportive.
Kati i dytë është i dedikuar tribunës së sipërme dhe zonave VIP. Përveç hyrjeve në tribunë, ai përfshin restorante me pamje panoramike, zona hospitality, skybox-e ekskluzive, studio televizive dhe hapësira të tjera premium për mysafirët VIP dhe sponsorët. Gjithsej janë projektuar 21 zona Hospitality dhe Skybox, të cilat ofrojnë standarde të larta komoditeti dhe privatësie.
Në nivelin e kulmit ndodhen platformat kryesore të kamerave dhe qendra e kontrollit të stadiumit. Këto hapësira mundësojnë mbikëqyrjen e të gjithë objektit përmes sistemeve moderne të sigurisë, monitorimit në kohë reale dhe kontrollit të hyrjeve, duke garantuar funksionim të sigurt dhe efikas gjatë çdo ngjarjeje.
Përveç funksionit sportiv, stadiumi është konceptuar si pjesë integrale e hapësirës publike dhe e masterplanit të Fshatit Olimpik. Hapësirat e gjelbra, bulevardet këmbësore, sheshet publike dhe lidhja e drejtpërdrejtë me parkun qendror krijojnë një mjedis urban aktiv, i cili mund të përdoret gjatë gjithë vitit edhe jashtë aktiviteteve sportive. Në këtë mënyrë, stadiumi nuk është vetëm një arenë futbolli, por një investim afatgjatë për zhvillimin urban, sportiv dhe social të Prishtinës.
