FFK themelon Akademinë e Referimit të Kosovës
Federata e Futbollit e Kosovës ka bërë të ditur se në bashkëpunim me Shoqatën e Gjyqtarëve të Kosovës, nga 1 korriku do të nisë zyrtarisht Akademinë e Referimit të Kosovës, një projekt ky i rëndësishëm për zhvillimin dhe avancimin e gjeneratave të reja të gjyqtarëve të futbollit.
Qëllimi i kësaj akademie është identifikimi, edukimi dhe përgatitja profesionale e gjyqtarëve të rinj, duke krijuar një bazë të qëndrueshme për të ardhmen e referimit në Kosovë.
Ligjërues dhe mentorë të akademisë do të jenë gjyqtarët me stemë të FIFA-s, Fatlum Berisha, Besnik Morina, Bujar Selimaj dhe ish-gjyqtari Kreshnik Vula, të cilët me përvojën dhe ekspertizën e tyre do të kontribuojnë në formimin e gjeneratave të reja të arbitrave.
I gjithë projekti do të udhëhiqet nga Përparim Hasani, kryetar i Shoqatës së Gjyqtarëve të Kosovës, i cili ka qenë iniciatori dhe mbështetësi kryesor i këtij programi zhvillimor.
Të gjitha informatat lidhur me procesin e rekrutimit, kriteret e aplikimit dhe mënyrën e regjistrimit do të publikohen zyrtarisht nga data 1 korrik përmes kanaleve të Federatës së Futbollit të Kosovës dhe Shoqatës së Gjyqtarëve të Kosovës.
Akademia e Referimit të Kosovës shënon një hap të rëndësishëm drejt ngritjes së cilësisë së referimit dhe krijimit të mundësive të reja për të rinjtë që dëshirojnë të ndërtojnë karrierë në futboll.
Bëhu pjesë e gjeneratës së re të referëve të Kosovës! ⚽️🇽🇰
