Australia mposht Turqinë dhe ia prish festën e rikthimit në Botëror pas 24 vjetësh
Australia e ka nisur me fitore rrugëtimin në Kupën e Botës 2026, duke e mposhtur Turqinë me rezultat 2:0 në ndeshjen hapëse të Grupit D, të zhvilluar në Vankuver.
Nestory Irankunda dhe Connor Metcalfe realizuan golat për “Socceroos”, ndërsa portieri Patrick Beach ishte njëri nga protagonistët kryesorë të takimit me tetë pritje.
Turqia u rikthye në një Kampionat Botëror për herë të parë pas 24 vjetësh, por nuk arriti ta kurorëzonte këtë rikthim me rezultat pozitiv.
Australia kaloi në epërsi në minutën e 27-të. Irankunda u shkëput mes tre mbrojtësve kundërshtarë dhe me një goditje të ulët e dërgoi topin në rrjetë.
Futbollisti 20-vjeçar i Watfordit u bë lojtari më i ri në historinë e Australisë që shënon gol në një Kupë Bote. Ai e festoi golin duke e goditur flamurin e këndit, në nderim të legjendës australiane Tim Cahill.
“Deklaratat e tyre na motivuan edhe më shumë. Nuk na pëlqen kur njerëzit flasin keq për ne, sepse jemi një skuadër e mirë. Shumë njerëz na nënvlerësojnë”, deklaroi Irankunda pas ndeshjes.
Ai iu referua deklaratave të kapitenit të Turqisë, Hakan Çalhanoğlu, i cili para takimit kishte thënë se skuadra e tij kishte më shumë cilësi dhe futbollistë më të talentuar.
Turqia krijoi shumë raste, por nuk arriti ta mposhtte portierin Patrick Beach. Ky i fundit ishte titullar në vend të portierit me përvojë Matthew Ryan, pas një vendimi befasues të përzgjedhësit Tony Popovic.
Beach fillimisht ndali goditjen e fuqishme të Abdulkerim Bardakcıt, ndërsa në minutën e 57-të priti edhe tentimin e Arda Gülerit nga goditja e lirë.
Kenan Yıldız, i cili nuk ishte përfshirë në formacionin startues, u aktivizua në fillim të pjesës së dytë, por as hyrja e tij nuk i ndihmoi Turqisë ta ndryshonte rrjedhën e ndeshjes.
Australia e vulosi fitoren në minutën e 75-të. Connor Metcalfe përfitoi nga një gabim i İsmail Yüksekut dhe realizoi për rezultatin përfundimtar 2:0.
Turqia e dominoi posedimin e topit me 72 për qind dhe regjistroi 30 goditje kundrejt nëntë të Australisë, por nuk arriti të shënonte.
“E respektoj shumë Australinë dhe prisja që të luante në këtë mënyrë. Ky është futbolli. Askush nuk e ka nënvlerësuar Australinë”, deklaroi përzgjedhësi i Turqisë, Vincenzo Montella.
Kjo është paraqitja e gjashtë radhazi e Australisë në Kupën e Botës dhe e shtata në histori. Në Botërorin e kaluar në Katar, australianët arritën deri në fazën e 1/8 së finales, ku u eliminuan nga Argjentina.
Për Turqinë, kjo është pjesëmarrja e tretë në një Botëror. Paraqitjen e fundit e kishte në vitin 2002, kur arriti deri në gjysmëfinale dhe e përfundoi turneun në vendin e tretë.
Australia dhe Turqia bëjnë pjesë në Grupin D së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Paraguain. SHBA-ja e kishte nisur garën me fitore 4:1 ndaj Paraguait.
