April 26, 2026

Drita ruan kreun pas fitores së bindshme, Ballkani dhe Malisheva vazhdojnë ndjekjen

Java e 30-të e AlbiMall Superligës së Kosovës në futboll ka sjellë zhvillime të rëndësishme në garën për titull dhe pozitat që sigurojnë dalje në garat evropiane, me Dritën që vazhdon të mbetet në krye të tabelës.

Skuadra nga Gjilani regjistroi një fitore të pastër 3:0 ndaj Llapit, duke dëshmuar formë të qëndrueshme në fazën vendimtare të kampionatit. Golat për Dritën u realizuan nga Besnik Krasniqi në minutën e 29-të, Abdoul Dante në fillimin e pjesës së dytë (47’), si dhe Veton Tusha në minutën e 63-të. Me këtë fitore, Drita vazhdon të kryesojë renditjen me 57 pikë, pesë më shumë se ndjekësi më i afërt.

Në anën tjetër, Ballkani ka reaguar me një fitore të rëndësishme në Suharekë, duke mposhtur Ferizajn me rezultat 3:0 dhe duke mbajtur të hapur garën për titull. Suharekasit kaluan në epërsi në pjesën e parë me golin e Giovanni-t në minutën e 22-të, ndërsa në pjesën e dytë shënuan edhe Valentin Serebe (80’) dhe Diar Vokrri (88’). Ballkani mbetet në vendin e dytë me 52 pikë, pesë më pak se lideri.

Në një tjetër ndeshje të rëndësishme të javës, Malisheva ka arritur një fitore dramatike në udhëtim ndaj Dukagjinit, falë golit të Xhemal Ibishit të shënuar në minutën e 93-të. Ky triumf i ka mundësuar Malishevës të ngjitet në pozitën e tretë me 46 pikë, duke kaluar Prishtinën dhe Gjilanin në renditje.

Prishtina aktualisht mban vendin e katërt me 45 pikë, ndërsa Gjilani renditet i pesti me 44 pikë. Dukagjini dhe Drenica ndajnë pozitat e mesit të tabelës me nga 38 pikë, ndërsa Llapi dhe Ferizaj mbeten në zonën e rrezikut me nga 33 pikë. Në fund të renditjes është Prishtina e Re me 28 pikë.

Me vetëm gjashtë xhiro të mbetura deri në përfundim të sezonit, gara për titullin kampion dhe pozitat evropiane mbetet e hapur dhe shumë konkurruese.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *