Spektakël golash në Champions: Real Madridi dhe PSG dominojnë, Bodo/Glimt vazhdon surprizën evropiane

Nata e së mërkurës në UEFA Champions League solli spektakël golash dhe rezultate të mëdha në ndeshjet e para të fazës së një të tetës së finales, ku Real Madrid, Paris Saint-Germain dhe Bodø/Glimt hodhën hapa të mëdhenj drejt çerekfinaleve.

Në “Santiago Bernabeu”, Real Madridi triumfoi bindshëm 3:0 ndaj Manchester City, falë një paraqitjeje të jashtëzakonshme të Federico Valverde. Mesfushori uruguaian realizoi tregolësh brenda pjesës së parë. Ai shënoi golin e parë në minutën e 20-të pas një aksioni individual dhe driblimit ndaj portierit Gianluigi Donnarumma. Vetëm shtatë minuta më vonë dyfishoi shifrat pas asistimit të Vinícius Júnior, ndërsa në minutën e 42-të kompletoi tregolëshin pas asistimit të Brahim Díaz. Në pjesën e dytë, Vinicius pati mundësinë të thellojë epërsinë nga penalltia, por Donnarumma e ndali goditjen e brazilianit. Madrilenët shkojnë në ndeshjen e kthimit në “Etihad” me një avantazh shumë komod.

Spektakël i madh u zhvillua edhe në “Parc des Princes”, ku PSG mposhti Chelsea me rezultat 5:2 në një ndeshje me shtatë gola. Bradley Barcola kaloi vendasit në epërsi në minutën e 10-të, ndërsa londinezët barazuan në minutën e 28-të me golin e Malo Gusto. Para pushimit, Ousmane Dembélé shënoi për 2:1. Në pjesën e dytë, Enzo Fernández barazoi në 2:2, por më pas parisienët morën kontrollin e plotë të ndeshjes. Vitinha riktheu epërsinë për 3:2 në minutën e 74-të, ndërsa Khvicha Kvaratskhelia realizoi dy gola në minutat 86 dhe 90+4 për ta vulosur fitoren e thellë të kampionit në fuqi.

Ndërkohë, një tjetër surprizë erdhi nga Norvegjia, ku Bodø/Glimt vazhdon të shkëlqejë në Evropë. Skuadra norvegjeze e mposhti 3:0 Sporting CP në ndeshjen e parë të kësaj faze. Sondre Brunstad Fet realizoi golin e parë nga penalltia në minutën e 32-të, ndërsa Ole Didrik Blomberg dyfishoi epërsinë në minutën e parë shtesë të pjesës së parë. Fitoren e thellë e vulosi Kasper Høgh me golin e shënuar në minutën e 71-të.

Me këto rezultate, Real Madridi, PSG dhe Bodø/Glimt kanë krijuar avantazh të rëndësishëm para ndeshjeve të kthimit dhe janë shumë pranë sigurimit të një vendi në çerekfinalet e Champions League.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *