April 2026
M T W T F S S
 12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
27282930  
April 21, 2026

Agim Ademi mbështetet unanimisht, merr mandatin e ri në krye të FFK-së

Agim Ademi është rizgjedhur president i Federatës së Futbollit të Kosovës për mandatin e ri 2026–2030. Në Kuvendin e Rregullt Zgjedhor të FFK-së, i cili u mbajt sot në hotelin “Emerald”, Ademi mori mbështetjen unanime të delegatëve, pasi nga 52 delegatë të pranishëm në punimet e Kuvendit, të gjithë votuan pro rizgjedhjes së tij.

Paraprakisht, presidenti Ademi paraqiti Raportin e Punës për vitin 2025, si dhe programin e tij voluminoz për mandatin e ri me moton “Me futbollin, për Kosovën”.

Po ashtu, me 49 vota pro dhe 3 abstenime, u zgjodhën edhe anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, në përbërje: Nga LRF-të: Bakir Burri, Mirsad Çollaku, Ilaz Mjaku, Ismajl Ajeti, Agim Nura, Xhelal Broja, Armend Misini, nga Shoqata e Futbollit të Femrave: Vjollca Krasniqi; nga Shoqata e Futbollistëve: Samir Ujkani dhe të emëruar nga presidenti: Agim Dibrani, Predrag Joviq e Enver Muzliuka (Diasporë).

Pas rizgjedhjes, presidenti Ademi falënderoi delegatët për besimin dhe theksoi rëndësinë e unitetit dhe bashkëpunimit në udhëheqjen e futbollit kosovar.

“Vota juaj sot është besim për mua dhe për ekipin tim. Vota juaj është vlerësim i punës së bërë bashkërisht dhe përkrahje për të ardhmen dhe punën e ardhshme. Pozita e presidentit të Federatës është përgjegjësi dhe detyrë, të cilën do ta ushtroj me përkushtim maksimal. Do të jem gjithmonë në shërbimin tuaj dhe në shërbim të futbollit. Këtë punë nuk e kam bërë i vetëm, por së bashku me stafin tim dhe administratën e FFK-së, të cilët i falënderoj për angazhimin e tyre të vazhdueshëm.

FFK është një organizatë joqeveritare, por me një rol të veçantë për faktin se përfaqëson shtetin në arenën ndërkombëtare. Kjo na obligon që të jemi më transparentë, më të përgjegjshëm dhe më të përkushtuar. Jam i lumtur që ky Kuvend është i unifikuar dhe që vendimet i marrim bashkë, për të mirën e futbollit. Uniteti dhe vota juaj nuk janë ngulfatje e demokracisë, por shprehje e vlerësimit dhe besimit ndaj meje dhe institucionit të futbollit. Na priftë e mbara dhe shpresoj që futbollin e Kosovës ta shohim gjithnjë e më lart”, tha presidenti Ademi.

Punimet e Kuvendit u monitoruan nga afër nga zëvendëspresidenti i UEFA-s, Armand Duka, Rolf Tanner, drejtor i qeverisjes në FIFA, Marco Ferri –përfaqësues i FIFA-s, Denis Bastari, drejtor i zhvillimit të federatave në UEFA, si dhe nga përfaqësuesit Fidan Shatri dhe Mehdi Uka nga MKRS dhe Gazmend Maxhuni nga Komiteti Olimpik i Kosovës.

Kuvendi u përshëndet fillimisht nga zëvendëspresidenti i UEFA-s, Armand Duka, i cili përcolli përshëndetjet e presidentit të UEFA-s, Aleksander Čeferin, dhe Sekretarit të Përgjithshëm të UEFA-s, Theodore Theodoridis.

“Marrëdhëniet ndërmjet UEFA-s dhe FFK-së kanë vazhduar të zhvillohen në mënyrë konstruktive dhe të qëndrueshme. FFK ka dëshmuar përkushtim ndaj forcimit institucional dhe zhvillimit afatgjatë të futbollit. Përdorimi efektiv i fondeve të programit HatTrick, veçanërisht për ndërtimin e fushave dhe objekteve stërvitore, ka pasur ndikim të madh në përmirësimin e kushteve dhe zhvillimin e futbollit të bazës në Kosovë”, tha Duka.

Ai vlerësoi edhe sukseset sportive të kombëtares A dhe klubeve kosovare në garat evropiane.

“Paraqitjet e Kosovës në kualifikimet për Kampionatin Botëror 2026 dhe pjesëmarrja në play-off dëshmojnë zhvillim të madh. Po ashtu, sukseset e FC Drita në UEFA Europa Conference League janë tregues i progresit të klubeve kosovare në arenën ndërkombëtare”, u shpreh Duka.

Ndërkohë, drejtori i qeverisjes në FIFA, Rolf Tanner, theksoi përparimin e jashtëzakonshëm të futbollit kosovar që nga pranimi në FIFA dhe UEFA.

“Futbolli i Kosovës ka bërë hapa gjigantë në shumë nivele. Vetëm në vitet e fundit janë investuar mbi 1.2 milionë dollarë përmes programeve të FIFA-s, ndërsa projekti ‘FIFA Arena’ është një dëshmi konkrete e zhvillimit të infrastrukturës. FIFA do të vazhdojë ta mbështesë FFK-në në rrugën e saj drejt sukseseve të reja”, tha Tanner.

Në emër të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Fidan Shatri konfirmoi respektimin e autonomisë së FFK-së dhe theksoi se roli i ministrisë është rregullativ, në përputhje me ligjin.

Ndërsa, përfaqësuesi i Komitetit Olimpik të Kosovës, Gazmend Maxhuni, vlerësoi stabilitetin dhe sukseset e FFK-së, duke uruar realizim të projekteve të reja në mandatin e ardhshëm.

Gjatë punimeve të Kuvendit, delegatët miratuan Raportin e Punës, Raportin e Auditorit, Buxhetin për vitin 2026, si dhe auditorin e jashtëm për vitin 2026.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *