Ademi dhe Foda komentojnë shortin e Grupit D për Botërorin 2026, por thonë se fokusi është te Sllovakia
Ceremonia e shortit të Kupës së Botës 2026 ka përfunduar dhe Kosova tashmë e di se në rast të kualifikimit, do të jetë pjesë e Grupit D, së bashku me SHBA-në, Australinë dhe Paraguain.
Por, për ta siguruar biletën për në Botëror, Dardanët duhet të kalojnë edhe dy sfida të vështira, fillimisht të fitojnë ndaj Sllovakisë në gjysmëfinale të ‘play-off’-it e më pas edhe në finale ndaj Turqisë ose Rumanisë.
Presidenti Agim Ademi e përshkroi ceremoninë e shortit si të jashtëzakonshme dhe shprehu besimin e tij te djemtë dardanë.
“Sapo ka përfunduar shorti, një ceremoni e jashtëzakonshme krejt ndryshe nga ceremonitë tjera, me tre presidentët e tri shteteve nikoqire, për çka e komplimentoj FIFA-n. Grupi D, ku do të jemi ne, në rast kualifikimi, është me tri kombëtare dhe tri shtete të respektueshme. Por, ne fillimisht duhet t’i kalojmë edhe dy hapa, me Sllovakinë e pastaj me Turqinë dhe Rumaninë. Shpresoj që ne do t’i kalojmë këta hapa dhe do të ecim drejt këtij Botërori dhe nëse i kalojmë këta dy hapa, në këtë grup që jemi ndoshta është edhe grupi që e kishim dashur. Kur them se e kishim dashur ka një arsye për këtë, pasi aty është edhe SHBA, që është shteti që na ka ndihmuar dhe e ka organizuar në të gjitha aspektet Kosovën dhe vazhdon të na ndihmojë. Shpresoj që në mars Dardanët të jenë komplet, të mos kemi lëndime dhe të shkojmë para. Dardanëve u uroj shumë suksese”, ka thënë kreu i FFK-së.
Edhe përzgjedhësi i Kombëtares, Franco Foda, përqendroi vëmendjen te ndeshjet e ‘play-off’-it, derisa vlerësoi grupin e Botërorit:
“Australia, Paraguai dhe SHBA është një grup shumë, shumë interesant, por gjëja më e rëndësishme për ne është që fillimisht duhet të kualifikohemi. Na kanë mbetur edhe dy ndeshje, një ndeshje e rëndësishme si mysafir kundër Sllovakisë. Duhet ta fitojmë atë. Nëse e fitojmë, atëherë do të luajmë kundër Turqisë ose Rumanisë dhe këto janë tani ndeshjet më të rëndësishme për ne. Kjo ka prioritet. Gjithsesi këtu ishte një ngjarje fantastike, atmosferë e mrekullueshme. Nëse kualifikohemi në Botëror do të kishim një grup të balancuar ku gjithçka është e mundur. Por siç e përmenda, gjëja më e rëndësishme është që të kualifikohemi në Botëror. Dhe nëse kualifikohemi, atëherë do të gëzohemi shumë për këto ndeshje”, tha Foda.
Kosova do të luajë fillimisht kundër Sllovakisë në gjysmëfinalen e play-off-it në Bratislavë, më 26 mars, ndërsa nëse triumfon, finalen do të zhvillojë në stadiumin “Fadil Vokrri” kundër fituesit të ndeshjes Turqi-Rumani, më 31 mars.
