February 2026
M T W T F S S
 1
2345678
9101112131415
16171819202122
232425262728  
February 13, 2026

Prishtina e frikshme në 47 minuta, por në fund fiton me dramë në Skenderaj

Prishtina vazhdon marshin e saj në këtë edicion, por fitorja e radhës nuk erdhi pa emocione të forta. Skuadra e trajnerit Arsim Thaqi i shënoi katër gola brenda 47 minutave ndaj Drenicës, megjithatë në fund u desh të përballonte presionin e madh të vendasve për ta ruajtur fitoren minimale, 4:3, në ndeshjen e zhvilluar të dielën në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj.

Kryeqytetasit e nisën ndeshjen në mënyrë perfekte. Hamdi Namani e hapi serinë e golave që në minutën e tretë, ndërsa Valmir Veliu e dyfishoi epërsinë në të 16-n.

Në minutën e 37-të, Dren Zeqiri realizoi për 3:0, duke e mbyllur pjesën e parë me dominim të plotë të Prishtinës.

Vetëm dy minuta pas rifillimit të lojës, Veliu shënoi edhe golin e dytë personal për 4:0, duke krijuar përshtypjen se ndeshja ishte mbyllur.

Por, Drenica e Bylbyl Sokolit nuk u pajtua me humbjen e tillë. Brenda pak minutash, Genc Hamiti (52’) dhe Jeton Krasniqi (54’) e ngushtuan rezultatin, duke ringjallur shpresat e vendasve.

Në fund, Igball Jashari realizoi nga penalltia në minutën e 89-të, por goli i tij nuk mjaftoi për të shmangur humbjen.

Prishtina, me këtë fitore dramatike, ruan kreun e tabelës me 22 pikë, ndërsa Drenica mbetet në kuotën e 11 pikëve.


Ballkani rikthehet në binarë, Dukagjini dorëzohet në Suharekë

Ballkani u rikthye te fitorja pas disfatës në Prishtinë në xhiron e kaluar. Skuadra portokallezi mposhti Dukagjinin, me rezultat 2:0, në ndeshjen e zhvilluar në Stadiumin e Qytetit në Suharekë.

Pas një pjese të parë pa gola, vendasit gjetën golin e avantazhit në minutën e 53-të me anë të Almir Kryeziut.

Në minutën e 75-të, Cyrus Margono, portieri i Dukagjinit, devijoi topin në rrjetën e tij pas një përpjekjeje për ta larguar, duke vulosur rezultatin përfundimtar.

Ballkani mban vendin e dytë me 18 pikë, katër më pak se lideri Prishtina, ndërsa Dukagjini mbetet i treti me 14 pikë.

Llapi ndalet në shtëpi, Ferizaj i merr pikë të vlefshme

Në Podujevë, Llapi nuk arriti ta vazhdojë serinë e fitoreve.

Skuadra e Tahir Batatinës u ndal në barazim 1:1 nga Ferizaj, në ndeshjen e zhvilluar në “Zahir Pajaziti”.

Muhamet Hyseni, golashënuesi më i mirë i llapjanëve, shënoi në minutën e 61-të, por Betim Haxhimusa reagoi shpejt për Ferizajn, duke barazuar rezultatin shtatë minuta më vonë.

Ky ishte barazimi i katërt i sezonit për Llapin, që ndodhet në mesin e tabelës me 10 pikë, po aq sa kanë edhe Malisheva, Gjilani dhe Ferizaj.

Pas përfundimit të xhiros së nëntë, Prishtina kryeson me 22 pikë, e ndjekur nga Ballkani (18, Dukagjini (14) dhe Drita (14). Në pozitën e pestë është Drenica, me 11 pikë, ndërsa nga pozita e gjashtë deri në të nëntën, Llapi, Malisheva, Gjilani dhe Ferizaj kanë nga 10 pikë, ndërsa Prishtina e Re mbyll tabelën me 7 pikë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *