Prishtina në superformë, fiton thellë në Ferizaj dhe ruan kreun e tabelës
Prishtina po kalon një formë të shkëlqyer në këtë fillim sezoni. Të dielën, bardhekaltërit shënuan fitore të madhe 5:0 ndaj Ferizajt, duke regjistruar fitoren e tretë rresht dhe të pestën në këtë edicion të AlbiMall Superligës.
Ndeshja e zhvilluar në fushën me bar sintetik në Ferizaj i takoi xhiros së shtatë dhe u ndërpre për disa minuta në minutën e 12-të, pas një incidenti jashtë stadiumit mes tifozëve.
Skuadra e drejtuar nga Arsim Thaçi e mbylli pjesën e parë me epërsi bindëse 3:0. Ardian Muja zhbllokoi rezultatin në minutën e 29-të pas asistimit të Mario Ilievskit. Vetë Ilievski e dyfishoi epërsinë në minutën e 41-të. Dren Zeqiri shënoi për 3:0 në minutën e 45+11, duke i dhënë një epilog perfekt pjesës së parë.
Në pjesën e dytë, edhe zëvendësuesit e Prishtinës lanë gjurmë. Blend Baftiu realizoi për 4:0 në minutën e 68-të, derisa Rin Ahmeti e vulosi fitoren me golin e pestë në minutën e 81-të.
Me këtë fitore, Prishtina ruan vendin e parë në tabelë me 16 pikë, një më shumë se Ballkani që renditet i dyti.
Ndërkohë, Ferizaj bie në pozitën e fundit me 6 pikë, aq sa kanë edhe Llapi e Prishtina e Re, por me golaverazh më të dobët.
Javën e ardhshme Prishtina luan derbin me Ballkanin.
