Gjilani fiton derbin ndaj Prishtinës, Dukagjini e Ballkani triumfojnë si mysafirë, Drenica shijon fitoren e parë
Java e tretë e Superligës së Kosovës në futboll ka sjellë emocione të forta dhe rezultate interesante në pesë ndeshjet e zhvilluara gjatë fundjavës.
Derbi i madh ndërmjet Gjilanit dhe Prishtinës ka përfunduar me fitore të bindshme të skuadrës vendase. Të përzgjedhurit e Ardian Nuhiut mposhtën Prishtinën me rezultat 3:1 në fushën me bari sintetik në Gjilan, duke shënuar kështu fitoren e parë për këtë edicion.
Gjilani e nisi fuqishëm takimin. Vetëm në minutën e 4-të, Edi Basha zhbllokoi rezultatin, ndërsa dhjetë minuta më vonë Senad Jaroviq dyfishoi epërsinë nga penalltia. Në pjesën e dytë, Prishtina ngushtoi diferencën me golin e Blend Baftiut në minutën e 65-të, por në kohën shtesë, kapiteni Armend Thaqi vulosi fitoren 3:1 për gjilanasit.
Pas kësaj fitoreje, Gjilani numëron katër pikë nga tri ndeshje, ndërsa Prishtina megjithë humbjen mbetet në krye me gjashtë pikë, aq sa kanë edhe Dukagjini e Ferizaj.
Në Skenderaj, Drenica arriti të marrë fitoren e parë këtë sezon pas ritkhimit në elitë, duke mposhtur Prishtinën e Re me rezultat minimal 1:0. Hero i skuadrës vendase u bë Kreshnik Uka, i cili shënoi nga afërsia në minutën e 77-të.
Drenica në javën e parë barazoi me Llapin, ndërsa ndeshja e xhiros së dytë ndaj Dritës ishte shtyrë për shkak të angazhimit të gjilanasve në Evropë. Nga ana tjetër, Prishtina e Re regjistroi humbjen e dytë radhazi, pas asaj ndaj Ferizajt, ndërsa në javën e parë kishte mposhtur Malishevën.
Klubi nga Klina e ka vazhduar serinë pozitive me fitoren e dytë rresht. Dukagjini triumfoi 1:0 në udhëtim kundër Malishevës, falë golit të shënuar nga Altin Merlaku në minutën e 63-të.
Skuadra klinase kishte fituar edhe në javën e kaluar ndaj Gjilanit, duke u rikuperuar pas humbjes nga Prishtina në hapje të sezonit. Ndërkohë, Malisheva mbetet pa fitore, me dy barazime dhe një humbje.
Pas dy barazimeve rresht, skuadra e Ballkanit ka shënuar fitoren e parë në Superligën e Kosovës në futboll. Ballkani mposhti Ferizajn të dielën me rezultat 3:1. Ndeshja u zhvillua në fushën me bari artificial në Ferizaj Skuadra nga Suhareka i shënoi në minutat shtesë golat e fitores. Fillimisht Marsel Ismajlgeci shënoi për 1:0 në minutën e 13-të, ndërsa Kastriot Selmani në minutën e 35-të barazoi rezultatin për Ferizajn. Valentin Serebe në minutën e 90-të shënoi për 2:1, ndërsa golin e tretë për rezultatin 3:1, Ballkani e shënoi në minutën e 97-të.
