April 2026
M T W T F S S
 12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
27282930  
April 23, 2026

Prishtina në finale të Kupës së Kosovës, mposht bindshëm Dritën


Stadiumi “Fadil Vokrri” ka qenë skena e fitores madhështore të FC Prishtinës, e cila të mërkurën mbrëma siguroi kualifikimin në finalen e madhe të Kupës së Kosovës, duke triumfuar ndaj Dritës me rezultat bindës 3:0, në ndeshjen e kthimit gjysmëfinale.

Ndonëse përballeshin me liderin aktual të Superligës dhe skuadrën e vlerësuar si favorite për këtë trofe, bardhekaltrit e kryeqytetit dëshmuan formë të shkëlqyer dhe vendosmëri të jashtëzakonshme, duke u kualifikuar me rezultat të përgjithshëm 4:0 nga dy ndeshjet gjysmëfinale.

Protagonist i mbrëmjes ishte Ardian Muja, i cili realizoi dy gola të bukur në pjesën e parë të ndeshjes. Ai zhbllokoi rezultatin në minutën e 10-të pas një asistimi të saktë nga Ramiz Bytyqi, ndërsa në minutën e 39-të dyfishoi epërsinë pas një kombinimi të shkëlqyer me Leotrim Kryeziun.

Vetëm pesë minuta më vonë, Prishtina vulosi fitoren me golin e tretë, të shënuar nga Albin Krasniqi nga gjuajtja e lirë në minutën e 44-t.

Kjo paraqitje e shkëlqyeshme e Prishtinës i siguroi asaj një vend në finalen e Kupës së Kosovës, ku më 14 maj në po të njëjtin stadium do të përballet me Llapin, që më herët gjatë ditës e siguroi finalen pas fitores edhe në ndeshjen e kthimit ndaj Drenicës (2:0).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *